Lajme

Shkodër, një kampion boksi, një ish-këshilltar bashkiak mes 4 të arrestuarve

Policia e Shtetit ka zbuluar identitetin e katër të arrestuarve nga aksioni i një dite më parë në kryeqendrën e veriut pas kontrolleve në lagjet Kiras dhe Dobraç, aksion ky i ndërmarrë pas vrasjeve të shumta gjatë kësaj periudhe.

Në pranga janë vënë shtetasit:

Ilir Rustemi (Bajri), 42 vjeç, lindur e banues në Dobraç, Shkodër;

Emrah Plaku, 22 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

Astmer Bilali, 29 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

Erogen Brajoviç, 36 vjeç, lindur e banues në Shkodër;

Policia thotë se ka mbledhur të dhëna në rrugë informative për ta, por edhe i ka përgjuar për të arritur në konkluzionin që ishin pjesë e klaneve kriminale që vepronin në qytetin e Shkodrës.

Mes këtyre 4 të arrestuarve është edhe një ish-kampion boksi. Bëhet fjalë për Astmer Bilalin, 29 vjeç, lindur e banues në Shkodër.

“Arrestimi i shtetasit Astmer Bilali u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij nga shërbimet e policisë të Komisariatit të Policisë Shkodër u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri automatik model 56 mm dhe 30 copë fishekë, të cilat ky shtetas i mbante pa leje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Astmer Bilali është një prej boksierëve më të mirë të Vllaznisë, por edhe në rang kombëtar.

Në vitin 2012 ka qenë boksieri i vetëm nga katër pjesëtarët e tjerë të Shqipërisë, që mundi të kalonte në turin kualifikues të Lojërave Olimpike “Londër 2012”. Por, ai nuk arriti që të fitonte, pasi u mund nga boksieri rumun Ionut George raundin e 1/8-ve.

Ndërsa, Erogen Vaso Brajoviç është një emër i njohur në Shkodër për shkak se ka qenë anëtar i këshillit bashkiak, por edhe i përfshirë në vepra kriminale.

Ai është akuzuar në vitin 2007 për veprën penale të “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për përfitim të pasurisë”, e njohur ndryshe si gjobëvënie. Por pas kësaj akuze, Erogen Vaso është “rehabilituar”, duke iu futur politikës.

Fillimisht ai ka qenë këshilltar bashkiak në Shkodër me Partinë Bashkimi për Drejtat e Njeriut, që drejtohet nga Vangjel Dule, ndërsa së fundmi është bërë pjesë e Partisë Socialiste.

Po ashtu janë sekuestruar armë, municione, mjete të blinduara dhe sende të tjera të poseduara në mënyrë të paligjshme.

Konkretisht janë sekuestruar:

3 armë zjarri, (2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë);

6 mjete të blinduara;

rreth 800 fishekë;

 1 armë e ftohtë

10.500 euro;

3 makina lojërash fati;

njësi kompjuterike, DVR, CD dhe USB;

telefona celularë dhe karta telefonike;

2 veshje antiplumb.

Lidhur me aksionin e Policisë së Shtetit në Shkodër ka reaguar edhe kryeministri Rama. Në një postim të fundit në “Twitter” ka publikuar shifra nga numri i vrasjeve në Shkodër, përgjatë viteve të fundit. Kryeministri Rama thotë se Policia e Shtetit ka folur me vepra jo me fjalë.

“E vërteta e shifrave të krimit dhe rezultateve në vite të policisë në Shkodër flet qartë, paçka se s'çan dot në tregun mediatik. Sot Policia e Shtetit ka folur përsëri me vepra. Me llafet e kujt ikën nga Kuvendi për të bërë politikë me krimin qytet më qytet s'ia vlen të merresh”, është shprehur Rama në “Twitter”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë