Njerez

Shkencëtarja shqiptare Mira Mezini fiton çmimin prestigjoz në Gjermani

Prof.dr.ing. Mira Mezini ka fituar çmimin LOEWE Top Profesorship në Gjermani. Mezini është anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe inxhiniere për shkencat kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmshtadit në Gjermani.Ky çmim i siguron prof. Mezinit rreth 1.9 milionë euro për një periudhë prej pesë vjetësh për kërkimin shkencor mbi bazat e programimit për zhvillimin e sistemeve të softwer-it të të mësuarit interaktiv të decentralizuar të sigurt dhe të besueshëm.

LOEWE është programi i promovimit të kërkimit shkencor që përdor shteti federal i Hessen-it që nga viti 2008, për të përcaktuar tendencat e politikave kërkimore, me objektivin që t’i japë një shtysë të qëndrueshme peizazhit kërkimor të Hessen-it.

LOEWE do të thotë Ofensivë shtetërore për zhvillimin e përsosmërisë/ekselencës shkencore dhe ekonomike.

Mira Mezini, profesore e shkencave kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmstadt-it (Gjermani); profesore e ftuar në disa vende të Botës, duke përfshirë Britaninë e Madhe; zëvendëspresidente e Universitetit të Darmstadt-it për transferimin teknologjik dhe më pas edhe për kërkimin dhe inovacionin ka shprehur një mesazh falënderimi për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë që e zgjodhi anëtare të jashtme. 

Mira Mezini është autore e 233 artikujve shkencorë të indeksuar në Scopus List dhe i 293 artikujve të kuotuar në Research Gate, me rreth 7000 citime, e cilësuar kërkuese shkencore ekselente me njohje dhe vlerësim ndërkombëtar në fusha shumë të rëndësishme të shkencave kompjuterike si gjuhët e programimit dhe paradigmat, zhvillimi i softuerëve të automatizuar, analiza e programeve dhe siguria e softuerëve; bashkëthemeluese e nëndisiplinës mbi paradigmën e zhvillimit të softuerëve të orientuar duke vendosur parime të reja shkencore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë