Bota

Shkencëtarë të famshëm, këshilltarë të Shtëpisë së Bardhë. Biden: Të drejtojnë me shkencë dhe të vërtetën

Me komente që dukej se kishin në shenjestër administratën në largim të Presidentit Donald Trump, Presidenti i zgjedhur Joe Biden tha se ekipi i shkencëtarëve që ai prezantoi të shtunën do të drejtojë me “shkencë dhe të vërtetën” sepse “ne besojmë tek të dyja”. Zoti Biden ka krijuar një post të ri në kabinetin e tij – atë të këshilltarit shkencor të Shtëpisë së Bardhë. Ai ka caktuar Eric Lander, një figurë e njohur në studimin dhe identifikimin e gjeneve njerëzore, që të drejtojë Zyrën e Politikave Shkencore dhe Teknologjike.

Presidenti i zgjedhur Joe Biden ka prezantuar ekipin e tij shkencor, ndërsa me 20 janar ai do të marrë drejtimin e Shtëpisë së Bardhë për katër vitet e ardhshme.
Zoti Biden tha se ka caktuar shkencëtarin e njohur Eric Lander për të marrë drejtimin e Zyrës së Politikave për Shkencën dhe Teknologjinë, dhe krijuar një post të ri në kabinetin qeveritar.

Dr. Eric Lander

“Po emëroj një nga njerëzit më të shkëlqyer që njoh, Dr. Eric Lander, për të drejtuar Zyrën e Politikave për Shkencën dhe Teknologjinë. Ai është pionier i komunitetit shkencor, drejtues kryesor i Projektit të Gjenomit Njerëzor. Nuk është hiperbolë të thuash që puna e Dr. Lander ka ndryshuar rrjedhën e historisë njerëzore.”
Dr. Lander është drejtor dhe themelues i Institutit Broad në Harvard dhe Institutin Teknologjik të Masaçusetsit. Ai do të jetë shkencëtari i parë që do të ketë një post në Shtëpinë e Bardhë. Ky post kërkon konfirmim nga Senati.
Presidenti i zgjedhur po ashtu po mban drejtorin e Instituteve Kombëtare të Shëndetit Dr. Fancis Collins, i cili ka punuar me zotin Lander në projektin për gjenomën.
Zoti Biden gjithashtu emëroi dy shkencëtare të famshme për të bashkëkryesuar Këshillin e Këshilltarëve të Presidentit në Shkencë dhe Teknologji.

Frances Arnold

Frances Arnold me Institutin Teknologjik të Kalifornisë e cila ka fituar Çmimin Nobel në kimi në vitin 2018 dhe Maria Zuber me Institutin Teknologjik të Masaçusets do të drejtojnë ekipin e jashtëm këshillimor të shkencës.
Ndërkohë Presidenti i zgjedhur Joe Biden bëri të ditur më herët se ka zgjedhur dy diplomate veterane në poste kryesore në Departamentin e Shtetit.

Zoti Biden emëroi Wendy Sherman, negociatorja kryesore e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me Iranin, për postin e Zëvendës Sekretares së Shtetit.

Victoria Nuland

Zoti Biden emëroi gjithashtu zonjën Victoria Nuland, e cila ka shërbyer si diplomate e lartë amerikane për Evropën, ambasadore në NATO dhe zëdhënëse e Departamentit të Shtetit, si Nënsekretare e Shtetit për çështjet politike. /VOA


Copyright © Gazeta “Si”



Lajme të lidhura


Më Shumë