Futboll

Shkëlqimi i Skënderbeut të dënuar, Dita: Kemi trajnerin më të mirë në Shqipëri

Skënderbeu ishte mes protagonistëve të javës së 27-të të Superiores, që rinisi aktivitetin pas gati 3 muajsh. Korçarët mundëm 1-2 Partizanin në kryeqytet dhe u ngjitën në vend të tretë të renditjes, që do të thotë një vend në Kupat e Europës, nëse dënimi i UEFA-s zhvlerësohet nga Gjykata Federale në Zvicër, sikurse klubi jugor shpreson. Ishte ekipi më në formë në ndeshjet e së mërkurës.

Në kushtet e Skënderbeut, çdo ekip do ta kishte të vështirë të motivohej, ndërsa korçarët ia kanë dalë të mbajnë frymën kompetitive në garë. Bruno Dita, një protagonist absolut i këtij ekipi, kapiten i tij në ndonjë ndeshje, la shenjën e vet në fitoren me Partizanin me golin e dytë. Për Gazeta Si, mesfushori 27-vjeçar zbulon “sekretet” e Skënderbeut, duke evidentuar mes faktorëve të suksesit frymën e grupit, profesionalizmin e lojtarëve dhe trajnerin Ilir Daja, që për të është më i miri në Shqipëri.

Skënderbeu feston fitoren ndaj Partizanit. Gazeta Si, 4 qershor 2020

“Fitorja ndaj Partizanit ishte e bukur dhe e merituar. Si motivohemi kur jemi të dënuar? Është drejtimi i klubit dhe dëshira e ne lojtarëve për të bërë mirë. Jemi shumë çuna të rinj aty dhe mundohemi të jemi sa më profesionistë në punën tonë gjithmonë. E vërteta është se na shkon mendja te dënimi, nuk harrohet pasi “gjuha shkon ku dhemb dhembi”, por drejtuesit na kanë thënë gjithmonë të mendojmë vetëm për fushën dhe stërvitjen. Ne përqendrohemi te futbolli kur zbresim në kuadratin e blertë. Jemi një grup lojtarësh të rinj, të bashkuar dhe shumë profesionistë. Fryma e grupit është një faktor i rëndësishëm.

Pastaj, Skënderbeu drejtohet nga trajneri më i mirë në Shqipëri, Ilir Daja. Fusha flet qartë. Të gjitha këto të ndërthururura bashkë bëjnë që ky Skënderbe të jetë sërish në ritme të larta. Gëzimi i golit ndaj Partizanit? Nuk kam një mënyrë timen të festimit të golit, zakonisht festoj gjatë, si dje, sepse një gol në ndeshje të rëndësishme e ndjen më shumë. Gjithmonë mundohem të gjej rrugën e rrjetës. Ne shpresojmë shumë që të vazhdojmë me këtë ritëm deri në fund të kampionatit dhe të shkojmë në Europë, nëse vjen një përgjigje pozitive nga gjykata në Zvicër. E thashë që në fillim se jemi një ekip shumë profesionist. Do të jetë e vështirë, sepse ndërprerja bën të vetën, si dhe temperaturat e larta”, thekson Dita për Gazeta Si.

Bruno Dita, me shiritin e kapitenit të Skënderbeut. Gazeta Si, 4 qershor 2020

Mesfushori flet edhe për të ardhmen, pasi është në fundin e kontratës me Skënderbeun: “Po, kam pasur kontakte në janar me Tiranën. Më pëlqen si klub, por le t’ia lëmë kohës. Më mbaron kontrata këtë vit me Skënderbeun dhe në radhë të parë do të flas me presidnetin Takaj, pastaj të shohim”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë