Rend dhe Ligj

Shkelën urdhrin, ndëshkohen 154 qytetarë dhe 129 shoferë

Pasi nisi fundjava e izolimit në të gjithë Shqipërinë, Policia e Shtetit me anë të një njoftimi për mediat thotë se në Tiranë janë shoqëruar 41 qytetarë në ambientet e komisariateve, pasi nuk respektuan oraret kufizuese dhe nuk iu bindën urdhrit të Policisë për t’u futur në banesa, të cilët janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë.

Policia thotë se në Tiranë janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, konkretisht shtetasi A. R., 42 vjeç, pasi ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë për moszbatimin e urdhrit për të qëndruar në banesë, si dhe shtetasi D. T., 26 vjeç, pasi ka shkelur urdhrin për të qëndruar në banesë, të cilit gjatë kontrollit fizik iu gjetën 8 gr. lëndë narkotike dhe dyshohet se përdorte një minoren për të shpërndarë lëndën narkotike.

Ndërkohë në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 154 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë.

Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 129 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti.

Po ashtu, policia bën me dije se në të gjithë vendin janë konstatuar 17 subjekte tregtie që nuk kanë respektuar orarin për mbylljen në orën 13:00 dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.

Gjithashtu, në Shkodër, është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë, shtetasi E. Ç., i cili ka thyer rregullin e vetëkarantinimit.

Ndër të tjera, policia thotë se vijon kontrollet pandërprerë në të gjithë vendin.

https://www.facebook.com/1502420603377639/videos/231851827965833/?__xts__[0]=68.ARDKROdNz3LkB3f4N4Ut5z1mzdRydXVU0S0HVUoAxNiEBWyi6DGWAPTb6LkxNonie3GNYqyn42jWXL52s8zS-t6v4ieTgKj1xvYpev8GW2Ov0tOd78A3g8BXcC2aJElwBoOGda7uF80FrHFsk_ZWRQ0rdckzgzuEE293X241t7d1GNbxJb98FtpUHNeuZVtOifcLdwpJTRZhFg5PDiGdAWSHzg5_HiwZaQBdFZKwGEEltLPFiJvGC-VW1IPSjW__QSV-Mi76C6ZL28_gU-rIbuhrZ6V73htU9EDOiT6U8Qddup9GR3ZEX6nngnQMtfXJYhQA4CdVnWvFH2S41shpaI56VPfKa8iwUKHEx8mL&__tn__=-R

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë