Ka ndodhur

Shkelën orën policore dhe kundërshtuan me dhunë punonjësit e policisë

Në Durrës, tre persona janë vënë në pranga, ndërsa një biznes është gjobitur, për shkak se janë kapur në shkelje të orës policore të vendosur për të shmangur përhapjen e Covid-19.

Policia bën me dije se në pranga kanë rënë H.B., 55 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”; E.B., 26 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje” (vëllezër) dhe A. C., 37 vjeç, të tre banues në Durrës.

Gjatë kontrolleve, policia ka konstatuar në lagjen nr. 13, Plazh, një lokal të hapur pas orarit të përcaktuar për mbyllje, brenda të cilit ndodheshin disa persona.

Pasi iu kanë kërkuar shtetasve që ndodheshin brenda në lokal dokumentet e identifikimit, 3 prej tyre nuk kanë pranuar t’i tregojnë, duke i kundërshtuar me dhunë efektivët.

Gjithashtu, policia ka ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë pronarin e lokalit, shtetasin E. P., pasi është konstatuar duke ushtruar aktivitet në subjektin e tij, pas orarit të përcaktuar për mbyllje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë