Dosje

Shkatërrohet grupi kriminal në Greqi, banda e drejtuar nga një shqiptar rekrutoi një police si spiune

Gazeta Si - Një 30-vjeçar shqiptar në Greqi u plagos me armë të martën nga policia greke gjatë një aksioni në rezidencën studentore, pasi dyshohej se aty kishte aktivitet të trafikut të drogës, por edhe grumbulloheshin objekte të grabitura.

Shtypi grek ka publikuar foton e shqiptarit që sulmoi me kaçavidë një police greke dhe më pas u qëllua me armë nga autoritetet duke mbetur i plagosur.

Ai njihet me emrin Esko dhe raportohet se është kreu i bandës kriminale. Në tre katet e fundit të konviktit të vjetër të kampusit, jetonte Esko së bashku me vëllain e tij dhe anëtarë të tjerë të grupit kriminal.

Në këto dhoma strehoheshin kundrejt tarifës prej 100 euro në muaj, ku kishin të përfshira energjinë elektrike, internetin dhe ujin.

“Ata qarkullonin me ‘Mercedes’ dhe bënin jetë luksi me paratë e krimit, pazaret e drogës, vjedhjet e madje dhe rrëmbimet”, shkruan Protothema.

30-vjeçari shqiptar i quajtur Esko akuzohet gjithashtu se në maj të vitit 2019 rrëmbeu djalin e mitur të një gazetari grek dhe e mbajti të fshehur pikërisht në rezidencat studentore.

Më pas ai dhe bashkëpunëtorët e tjerë hynë në banesën e gazetarit grek dhe e grabitën.

Në vendngjarje policia gjeti shenjat e gishtave të 30-vjeçarit dhe u shpall në kërkim.

Por asnjëherë nuk është arrestuar, pasi autoritetet greke besonin se ishte arratisur drejt Shqipërisë, kur në fakt Esko qëndronte i fshehur në rezidencën studentore në Athinë.

Në këtë konvikt nuk jetonte vetëm Esko. Ai aty qëndronte së bashku me partneren e tij dhe fëmijën e tyre të porsalindur, me vëllain e tij që gjithashtu u arrestua, si dhe të paktën 10 persona të tjerë, të gjithë këta të ndarë në disa dhoma.

Pjesë e këtij grupi kriminal ishte edhe një vajzë e re, e cila sapo ishte futur në radhët e policisë greke dhe shërbente si informatore për këtë grup.

Kjo police e re ishte rekrutuar nga Esko dhe anëtarët e tjerë të grupit dhe ndihmonte ata me informacione, duke dekonspiruar kolegët e tyre.

“Protothema” shkruan se Esko u përfshi në rrjetin e trafikut të drogës, grabitjeve dhe rrëmbimit nga xhaxhai i tij, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm në Greqi për një vrasje dhe arratisje nga burgu.

Një nga gabimet e bëra nga banditët mashtrues të Kampusit, është se ata ngarkonin video të shfrytëzimeve të tyre në Tik-Tok.

Material me armë, pistoleta, makina të shtrenjta, ora dhe shumë para, që provokuan ndjekësit e tyre t’i "fusin në dorë" pasi i shihnin të jetonin pa punuar asnjëri prej tyre.

Grabitjet, sidomos në orët e para të mëngjesit , por edhe trafiku i drogës, kanë qenë burimet e “parave të zeza” të bandës, ndërsa në dosjen voluminoze të çështjes, e cila u krijua nga Nëndrejtoria e Sigurimit të Athinës, përfshihen ngjarje që përshkruajnë në mënyrën më të gjallë veprimin e bandës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë