Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Eugen Becin.
Hetimi i tij është bërë në të tria kriteret, por ka rezultuar me probleme për sa i përket pasurisë. Prokurori Eugen Beci kishte aplikuar për t’u bërë pjesë e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK).
Prokurori Eugen Beci ka shqyrtuar çështjen Dritan Dajti. Madje gjatë seancës në Gjykatën e Krimeve të Rënda për procesin gjyqësor ndaj Dritan Dajtit, ai ka marrë kërcënime nga vetë Dajti.
Po ashtu, sot edhe një tjetër gjyqtar ka ngecur në sitën e vettingut. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Luan Hasneziri.
Në vitin 2014, gjyqtarit Hasneziri iu refuzua viza nga ambasada amerikane në Tiranë. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtari Hasneziri ka rezultuar me probleme për sa i përket pasurisë dhe pastërtisë së figurës.
Këto probleme kanë bërë që Komisioni i Vettingut të vendosë për shkarkimin e tij. Gjyqtari Hasneziri ishte kandidat për Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkohë, ka arritur të kalojë me sukses Vettingun gjyqtarja e Tiranës, Regleta Panajoti. Panajoti është kandidate për Gjykatën Kushtetuese.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.