Lajme

Shkarkohet prokurori Hoti, probleme me pasurinë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra prokurorin e Apelit të Durrësit, Bujar Hoti.

Ndonëse ILDKPI kishte paraqitur një raport pozitiv sa i takon deklarimit të pasurisë për prokurorin, komisioni ka kryer një hetim më të thellë ku ka konstatuar probleme me deklarimin dhe justifikimin e saj dhe është vendosur se prokurori Hoti nuk kalon sitën e vettingut.

Prokurori i Apelit të Durrësit, Bujar Hoti, ishte i pari që kaloi në sitën e vettingut të KPK pas  pushimeve të verës. 

Prokurori Hoti ka deklaruar se ka në pronësi një apartament banimi 157 m2, dhe shtesë 30 m2, në qytetin e Durrësit, me vlerë 4 milionë e 400 mijë lekë, i blerë me kredi.

Një automjet tip Audi A4, blerë për 6500 euro, një tokë arë 4 mijë m2 në Spitall në Durrës, fituar nga ligji 7501, një zyrë noteriale me sipërfaqe 41.3 m2 dhe një shtesë prej 19.6 metra katrorë.

Për njërin nga fëmijët e Hotit është paguar një tarifë për shkollimin në Universitetin e Oxfordit, në Angli.

Nga hetimi i KPK-së ka rezultuar se apartamenti në pronësi të Hotit prej 157 m2 është porositur në vitin 2004, për një vlerë prej 70 mijë euro.

E njëjta gjë ka rezultuar edhe për një garazh, kontrata për të cilin është revokuar.

Ndërsa për apartamentin prej 157 m2 ka paguar 68 mijë euro.

KPK ka arritur në konkluzionin se Hoti ka kryer deklarim të një çmimi fiktiv shitjeje për këtë apartament. KPK ka thënë se për sa i përket 4 mijë m2 tokë në Spitall, Durrës, familja e Hotit është larguar nga Qerreti në Durrës që në vitin 1990 dhe sipas ligjit, nuk duhet të përfitonte më tokë, pasi ka përfituar një banesë në Durrës.

Gjithashtu, KPK sqaron se toka nuk është tokë bujqësore, pasi ndodhet shumë pranë detit.

Prokurori Bujar Hoti ka një karrierë të gjatë si prokuror dhe përgjatë një dekade ai ka drejtuar Prokurorinë e Apelit në Durrës. Në vitin 2013, ai u shkarkua nga detyra si drejtues dhe e kundërshtoi vendimin në gjykatë. Megjithatë, prej vitit 2013 ai ushtron detyrën si prokuror në Prokurorinë e Apelit Durrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë