Lajme

Shkarkohet gjyqtari i Apelit për Krimet e Rënda, Gjovalin Përnoca

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Gjovalin Përnoca.
Ky ka qenë vendimi i dhënë paraditen e sotme nga trupa gjykuese, e cila përbëhej nga Xhensila Pine kryesuese, Olsi Komici relator dhe Suela Zhegu anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Gjyqtari Përnoca ka rezultuar me probleme me pasurinë.
Gjyqtari pranë Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Tiranë, Gjovalin Përnoca, u përball të martën me Vetingun për të tria kriteret e vlerësimit, atë të ligjshmërisë së pasurisë, si dhe kriterin etik dhe profesional.
Përnoca u përball për herë të dytë në seancë dëgjimore me KPK-në, pasi më 30 korrik ai kërkoi më shumë kohë për të siguruar 7 prova, që ai i cilësoi vendimtare për procesin. Por, në seancën e së martës dolën në pah sërish problemet me pasurinë.
Gjovalin Përnoca ka një karrierë të gjatë në sistemin e Drejtësisë, ku ka shërbyer fillimisht si gjyqtar në Mirditë dhe Shkodër dhe për 4 vjet si inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë.
Në vitin 2003, Përnoca është zgjedhur gjyqtar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, detyrë të cilën e ka ushtruar tashmë prej 15 vitesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë