Politike

Shkarkimi i Metës, PS teston deputetët e rinj dhe KQZ për rrëzimin e dekretit

“Dorashkën” e hedhur publikisht nga ana e Presidentit Ilir Meta ndaj mazhorancës mbi të drejtën për të anuluar zgjedhjet apo jo, mazhoranca e ka pranuar. Thuajse 90 minuta pasi kreu i shtetit firmosi dekretin para kamerave, Partia Socialiste mblodhi Kryesinë e saj.

Në këtë mbledhje, Kryeministri Edi Rama ka përsëritur bindjen se zgjedhjet do të zhvillohen më 30 qershor dhe ka kërkuar që Presidenti Ilir Meta të luftohet me argumente ligjore. "Ne jemi Republikë Parlamentare, jo Presidencial, ndaj të vazhdojmë përpara me 30 qershorin”, mësohet të ketë deklaruar Rama në këtë mbledhje.

Hapi i radhës sinjalizon nisjen e procedurave të shkarkimit që nga seanca parlamentare e së enjtes. Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një seancë të gjatë parlamentare, ku në rend të ditës do të jetë edhe një rezolutë për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta. Rezoluta nuk do të thotë votim për shkarkimin, por kërkesë për ta shkarkuar. Kjo mund të konsiderohet si hapja e njerës derë për hapin pasaardhës dhe testim i votave të deputetëve të dalë nga listat e PD-së dhe LSI-së se ç’qëndrim do të mbajnë.

Mazhorancës i duhen dy të tretat e votave në Parlament për të shkarkuar Ilir Metën. Socialistët nuk e kanë këtë shumicë të vetëm, por edhe nëse do ta siguronin do t’u duhej të kalonin një tjetër pengesë; Gjykatën Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese vlerëson më pas vendimin e Kuvendit për të shkarkuar Presidentin. Ngritja e kësaj gjykate kërkon ende kohë dhe për më tepër, që tre anëtarë të saj i emëron vetë Presidenti.

Sa i takon dekretit të Presidentit, Partia Socialiste e cilëson akt brutal kundër republikës dhe thotë se Presidenti Meta bëri një “shpikje” kushtetuese me fjalën “çdekretim”. Kjo do të thotë, se për shumicën nuk është e nevojshme interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë vendim, por do të mjaftojë dërgimi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

“Ilir Meta ka sulmuar Republikën dhe ka shpikur një institucion që nuk ekziston në asnjë vend të botës, që quhet zhdekretim. Në fund do t’i takojë Kolegjit Zgjedhor, apo KQZ që ta shqyrtojë nga pikëpamja juridike. Ilir Meta e ka humbur të drejtën për të qëndruar në atë zyrë. Do fillojmë procedurën e shkarkimit të Ilir Metës nga Presidenca të enjten. Është detyra jonë për të mbrojtur Kushtetutën”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Elisa Spiropali.

Një ditë më parë, Rama në vijim të fushatës elektorale në Burrel paralajmëroi se me lëvizjen e bërë për të anuluar zgjedhjet e 30 qershorit, presidenti Meta e humbi të drejtën për të vazhduar në postin e Presidentit dhe kreu vetëvrasje politike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë