Politike

Shkarkimi i Metës, Ligjet nesër nisin shqyrtimin e nismës së socialistëve

Komisioni parlamentar i Ligjeve do të shqyrtojë të mërkurën kërkesën e 55 deputetëve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta. Në mbledhjen e sotme të komisionit të Ligjeve, kryekomisioneri Ulsi Manja bëri të ditur se është futur në procedurë nisma e mazhorancës për të shkarkuar presidentin dhe se së shpejti do të shqyrtohet nga kjo strukturë përgjegjëse.
“U kam vënë në dispozicion të gjithë kolegëve të komisionit të ligjeve kërkesën. Nga ky moment komisioni ligjeve e ka futur në procedure shqyrtimin e kërkesës së 55 deputetëve”, deklaroi Manja.
Sipas Rregullores së Kuvendit, komisioni ka 15 ditë afat për të paraqitur raportin mbi nismën e mazhorancës për shkarkimin e Presidentit. Por për shkak të këtij konflikti të lartë politik socialistët po shpejtojnë procesin. Sipas Rregullores, presidenti mund të thirret në komision për t’u mbrojtur dhe kjo mbetet për t’u parë në socialistët do të ndërmarrin një nismë të tillë, e nëse vetë Meta do të dëshirojë të paraqitet.
Të hënën, socialistët depozituan në Kuvend kërkesën për nisjen e procedurave parlamentare për shkarkimin e Presidentit të Republikës. Për socialistët Presidenti Ilir Meta, ka shkelur Kushtetutën duke cenuar ushtrimin e të drejtës së popullit për të zgjedhur.
“Me vendimin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, presidenti ka marrë atribute që nuk i takojnë në një Republikë parlamentare”, deklarohet në kërkesën për shkarkimin e tij. Një vendim i tillë u mor disa ditë pasi mazhoranca votoi me 100 pro rezolutën e posaçme ku dënonte veprimin e Presidentit për zhdekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë