Rend dhe Ligj

Shiste sende të vjedhura të vëllait nga Gjermania, arrestohet polici nga Laçi

Shërbimi për Çështjet e Brendshme ka ndaluar një polic të Laçit, se shiste në Shqipëri sende të vjedhura nga i vëllai në Gjermani.
Polici akuzohet për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”.
Policia bën me dije se inspektori E. I., 32 vjeç, ishte punonjës në Seksionin e Policisë Rrugore.
Siç njofton policia, ky procedim lidhet me një hetim të nisur nga autoritetet gjermane për vjedhje banesash në kuadër të grupit kriminal.
Në qytetin e Hamburgut janë arrestuar dhe ndiqen në gjendje të lirë disa persona, në mes tyre edhe vëllai i efektivit të Policisë Rrugore në Lezhë.
Në kuadër të hetimeve përgjatë vitit 2019 është dokumentuar se punonjësi i Policisë ka pranuar sendet e vjedhura nga i vëllai në Gjermani, duke i përdorur përkohësisht, e shitur më vonë në treg.
Nga kontrolli i ushtruar në banesën e efektivit janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale sende të vjedhura, me vlerë të lartë në treg, si orë, bizhuteri, pajisje kuzhine, pajisje elektronike etj., por edhe një armë gjahu pa leje. Të gjitha sendet dyshohet se janë vjedhur në shtetin gjerman.
Në Landin e Hamburgut u arrestua një grup i strukturuar kriminal në fushën e vjedhjeve, 3 prej autorëve janë dënuar me vendim të formës së prerë dhe po vuajnë dënimin në shtetin gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë