Lajme

Shiste produkte ushqimore të skaduara, bllokohet biznesi në Fier

Një biznes në Fier është bllokuar nga AKU pas konstatimit se tregtoheshin produkte ushqimore të skaduara.

Bëhet fjalë për një supermarket, ku nga inspektimi u konstatuan disa lloje produktesh, si birra, pije freskuese, kos, gjalp, lëngje frutash, amareta, makarona, biskota, çokollata etj, me afat përdorimi të kaluar.

Nisur nga shkeljet e konstatuara në subjekt, ndaj tij u morën këto masa: masë administrative gjobë për tregtim të mallrave të skaduar, me vlerë 300 mijë lekë. Masë administrative bllokim produkti për ato ushqime të cilat ishin përtej afatit të përdorimit për t’u asgjësuar.

Nuk është hera e parë që siguria në vend cenohet, madje më rëndë sesa kaq, ku pak ditë më parë u publikuan pamje se si përdoreshin pesticide jashtë kriterit për të stimuluar rritjen apo pjekjen e produkteve, në rastin konkret domateve.

“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nëpërmjet hartimit të planit turistik për sezonin 2019 shprehet i vendosur për të siguruar një sezon turistik me sa më pak problematika dhe për të garantuar të gjithë konsumatorët vendas dhe të huaj për cilësinë e produkteve që tregtohen. Ndaj në këtë periudhë të rëndësishme turistike për vendin AKU bën thirrje për bashkëpunimin dhe ndërgjegjësimin e të gjithë konsumatorëve për denoncuar çdo tentativë nga ana e subjekteve për të shkelur ligjin”,- thuhet në njoftimin e AKU-së.

Cënimi i sigurisë për produktet ushqimore nuk ka prekur vetëm marketet e vogla të lagjeve. Pak ditë mw parë AKU bllokoi produkte jashtë datës së skadencës dhe i vuri gjobë edhe një rrjeti mjaft të njohur të supermarketeve në vend.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë