Ka ndodhur

Shisnin fara kanabisi, arrestohen dy persona në Shkodër

Dy persona janë arrestuar në Shkodër, pasi u kapën me vete me 4000 fara kanabis dhe 140 doza lëndë narkotike.

Policia thotë se ka vënë në pranga Kolë Ksollën, 25 vjeç dhe Julian Mauhja, 43 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër, gjatë operacionit të koduar “Gruda”.

“Nga strukturat e Seksionit Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirë organizuar, u bë i mundur finalizimi i operacionit ‘Gruda’. Si rezultat i këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit: J. M., 43 vjeç dhe K. K. , 25 vjeç, të dy banues në fshatin Grude e Re, Shkodër”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nëpërmjet lidhjeve të tyre jashtë vendit, kishin siguruar 4000 fara të bimës narkotike cannabis sativa, të cilat do t’i shisnin kundrejt pagesës 16.000 euro.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tyre, në ambientet e një lokali në lagjen “Manush Alimani”, Shkodër, policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një qese me fara të bimës cannabis sativa dhe një qese me lëndë narkotike cannabis sativa.

Pas arrestimit policia ushtroi kontroll edhe në banesën e shtetasit Kole Ksolla, ku u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dy qese me lëndë cannabis sativa dhe një sasi farash të bimës cannabis sativa.

Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat  penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” kryer në bashkëpunim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë