Ka ndodhur

Shijak, dhunojnë të riun dhe më pas qëllojnë me armë zjarri në ajër

Një person është arrestuar në Shijak dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi kanë dhunuar një të ri dhe më pas kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.

Sipas policisë, ka rënë në pranga A.K., 52 vjeç dhe janë shpallur në kërkim shtetasit Xh.K., 20 vjeç dhe K.K., 22 vjeç, banues në Shijak, Durrës (me lidhje familjare).

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me mjete të forta shtetasin D.Gj., 25 vjeç, banues në Pjezë, Shijak, Durrës, duke i shkaktuar dëmtime të lehta në trup.

Gjatë largimit nga vendngjarja, dyshohet se ata kanë qëlluar në ajër me armë zjarri në Shijak, duke prishur qetësinë publike.

Ndaj këtyre personave, rëndojnë akuzat për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, “Kanosja”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Gjatë ndërhyrjes nga policia dhe gjatë shoqërimit të personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen e ndodhur, shtetasi F.Ç. ka kundërshtuar me dhunë efektivët e patrullës.

Policia arrestoi në flagrancë shtetasi F.Ç., 25 vjeç dhe shpalli në kërkim vëllain e tij, shtetasin A.Ç., 25 vjeç, banues në Shijak, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë