Mjedis

Shija e shampanjës do të ndryshojë përgjithmonë për shkak të ndryshimeve klimatike

Shampanja prej shekujsh është një simbol i festave por temperaturat në rritje në Europë dhe moti gjithnjë e më i paqëndrueshëm po shton frikën se në rajonet ku krijohet shampanja nuk është më vendi i përshtatshëm për shampanjën.

Ekspertët thonë se prodhuesit e shampanjës do të duhet të përshtaten për të mbijetuar dhe shija e aroma e shampanjës do të ndryshojnë me kalimin e kohës.

Rrushi po digjet nga dielli

Ekspozimi i rajonit të ‘Shampanjës’ në Francë ndaj rrezikut të shkaktuar nga thatësira është thënë se pothuajse do të trefishohet deri në vitin 2050, sipas raportit të S&P Global Sustainable, duke paraqitur probleme serioze për vreshtat.

Raporti vlerëson rajonet në një shkallë nga 1-100, ku rezultati 100 përfaqëson ekspozimin maksimal ndaj rrezikut. Në raport shkruhet se rreziku i thatësirës në Francë do të rritet nga niveli aktual prej 16 në 43 deri në vitet 2050, pastaj dyfishohet në 88 deri në vitet 2090, nëse nuk bëhen ndryshime në politikat aktuale të klimës.

Thatësira nuk është faktori i vetëm që mund të pengojë prodhimin. Moti është gjithnjë e më i çrregullt, me zjarret, përmbytjet dhe ngricat duke u bërë më të shpeshta vitet e fundit.

Edhe nëse rrushi është ende në gjendje të rritet në një klimë në ndryshim, kushtet mund të ndryshojnë zhvillimin e frutave dhe të shkaktojnë dëme.

“Nëse rrushi ekspozohet ndaj rrezeve shumë ekstreme UV do të dëmtohet shija”, tha për CNBC Matt Hodgson, themeluesi i verërave Grape Britannia.

Nxehtësia shtesë mund të ndryshojë gjithashtu aciditetin e rrushit, gjë që i jep shampanjës një freski ndryshe.

Markat ndërkombëtare janë të vetëdijshme për ndikimin e madh që mund të ketë ndryshimi i klimës në bizneset e tyre.

“Ne i njohim efektet e ndryshimit të klimës në të gjitha territoret e Moët Hennessy dhe në shkallë të ndryshme”, thotë Sandrine Sommer, shefe e qëndrueshmërisë në divizionin e verërave dhe pijeve alkoolike të LVMH, Moët Hennessy.

“Më shumë se kurrë, ne po punojmë për t'u përshtatur”, shtoi Sommer.

“20 vjet më parë korrja bëhej në fund të shtatorit, fillimi i tetorit”, tha zëdhënësja e Champagne Taittinger Claire Sarazin. Tani, shtëpia e shampanjës vjel rrushin në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit.

Ndryshimet e temperaturave nënkuptojnë gjithashtu se shampanja po bëhet natyrisht më e ëmbël.

“Ne kemi aq shumë diell dhe aq shumë sheqer në thelb në lëng, saqë nuk kemi nevojë të shtojmë më sheqer,” tha Sarazin. “Nuk është një problem deri më tani, por është diçka për të cilën duhet të kujdesemi”.

Sipas kritikëve, disa shampanja tashmë kanë shije shumë të ndryshme nga shampanja që njerëzit kishin vite më parë.

Kritikja e verërave Susy Atkins ka vënë re se shija e shampanjës ka ndryshuar në dekadat e fundit.

"Kam vënë re një ndryshim delikat në 30 vitet e fundit dhe njerëz të tjerë që kanë më shumë se 50 vjet përvojë të shijimit të verës kanë vënë në dukje një ndryshim”, tha Atkins.

E ardhmja e shampanjës

Shtëpitë e shampanjës po marrin qasje të ndryshme për të ruajtur të ardhmen e tyre në industri, duke përfshirë vështrimin e vendeve me klimë të përshtatshme për të bërë shampanjë.

Burimi: CNBC. Përshtati: Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë