Treg

Shifrat e punësimit të 2022-shit, meshkujt paguhen më shumë se femrat në Tiranë, në Lezhë kryesojnë femrat

Nga Gazeta 'SI' - Për vitin 2022, forca e punës në vend raportohet 1.46 mln persona, që përfaqësojnë popullsinë aktive të përbërë nga të punësuarit dhe të papunët në vend, 5 mijë më shumë se në 2021-shin.

Sipas Instat, shkalla më e lartë e pjesëmarrjes në forcat e punës është regjistruar në qarkun e Korçës, Elbasanit dhe Beratit me rreth 70%. Ndërsa më e ulëta në qarkun e Lezhës dhe të Dibrës 53% dhe 56.5% përkatësish), ndërkohë që mesatarja për vendin është 62.4 % .

44.2% e shqiptarëve janë të punësuar në sektorin e shërbimeve, dominuar nga tregu i punës në kryeqytet dhe 34% në sektorin e bujqësisë, nëpër rrethe.

Në vitin 2022, ka rreth 160 mijë njerëz të papunë në Shqipëri, që është e barabartë me 10.9 % të forcës së punës gjithsej. Në 2021-shin ky tregues ishte 163 mijë. Shkalla më e ulët e papunësisë është regjistruar në qarkun e Gjirokastrës me 3.5%, Kukës 5%,  ndërsa ajo më e larta është regjistruar në Lezhë 23%, Dibër 18% dhe Vlorë 15.3%. Në Tiranë ajo raportohet të jetë rreth 13%.

Paga mesatare mujore e vitit 2022 ishte 61.898 lekë. sigurisht qarku i Tiranës shënonte nivelin më të lartë, 69.743 lekë në muaj, rreth 13% më të lartë se mesatarja e vendit. Ndërsa qarqet Shkodër dhe Lezhë kishin pagën më të ulët afërsisht 49.223 lekë dhe 49.711 lekë.

Referuar të dhënave sipas gjinisë, gjatë vitit 2022, meshkujt kanë nivelin e pagave më të lartë në qarkun e Tiranës (72.333 lekë) dhe më të ulët në qarkun e Lezhës (49.135 lekë). Pagat e punonjësve femra ishin përgjithësisht më të ulëta se ato të punonjësve meshkuj, por gjithashtu gratë kishin nivelin më të lartë të pagave në qarkun e Tiranës (66.911 lekë) dhe më të ulët në qarkun e Shkodrës (48.879 lekë). Në qarkun e Gjirokastër, meshkujt paguhen më shumë se femrat me rreth 12,76 %, ndërsa në qarkun e Lezhës meshkujt paguhen më pak se femrat me -4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë