Treg

Shifra rekord / Në 2022-shin u dhanë leje ndërtimi për 2.7 mln metër2. Gjysma vetëm në Tiranë

Nga Gazeta ‘SI’ - Në vitin 2022, sipërfaqja e miratuar për ndërtime në Shqipëri, kapi një shifër rekord, 2.667.497m2, me rritje 15% nga viti 2021. Kjo sipërfaqe është dhënë për 1.420 leje ndërtimi, po ashtu numër rekord, rritur me 2%, sipas INSTAT.

Në total, edhe vlera e parashikuar për këto ndërtime është rritur me 14%, 113 miliardë lekë në vitin 2022, nga 99.2 miliardë lekë miratuar gjatë vitit 2021. Sipas vlerës, 64% e totalit gjatë vitit të shkuar kanë qenë për ndërtesa rezidenciale, pallate.  

Sipas vlerës dhe sipërfaqes, Tirana vazhdon të jetë e para me 63.3 mld lekë të parashikuara dhe me mbi 1.8 mln m2 të dhëna për ndërtime të reja në një vit, pra 50% e totalit.

Me numër lejesh, këtë herë, Durrësi i ka zënë vendin Tiranës: 435 leje ndërtimi në Durrës dhe 382 në Tiranë.

Për tremujorin e fundit 2022, në Shqipëri u miratuan 415 leje ndërtimi për ndërtime të reja, me rritje pothuajse 17% në raport vjetor. 343 nga këto janë dhënë për ndërtime rezidenciale.

Sipërfaqja e këtyre lejeve të dhëna është 555.779 m2 nga 608.870 m2 miratuar në tremujorin e katërt 2021, duke shënuar një ulje prej 9%.

Në tremujorin e katërt 2022, dhe vlera e parashikuar e lejeve të miratuara janë më pak se e njëjta periudhë e 2021-shit, 26.6 miliardë lekë, nga 27 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë