Njerez

Shifra pozitive për 2022, por jetëgjatësia në Shqipëri vijon të jetë poshtë mesatares së BE-së

Nga Gazeta Si - Në vitin 2022, jetëgjatësia mesatare e shqiptarëve u zgjat më shumë se në vitin 2020 dhe 2021. Shifrat e vitit 2022 tregojnë se gratë në vendin tonë jetuan mesatarisht 80.9 vite ndërsa burrat 77.3 vite.

Përjashtuar vitet 2020 dhe 2021, ku treguesit demografikë ndryshuan për shkak të pandemisë, gjatë viteve të fundit jetëgjatësia në Shqipëri ka ruajtur relativisht një ritëm të qëndrueshëm.

Sipas statistikave, jetëgjatësia e grave në vendin tonë u shtua me 2.2 vite më shumë se në vitin 2021 ndërsa jetëgjatësia e burrave u shtua me 2.9 vite më shumë, duke kaluar edhe nivelet para pandemisë.

Ndërkohë në vitin 2022 jetëgjatësia e grave ishte 3.6 vite më shumë se jetëgjatësia e burrave.

Në krahasim me vendet e Europës, të dhënat për burrat tregojnë se vendi ynë renditet poshtë mesatares së Bashkimit Europian, mes vendeve të cilat e kanë të ulët treguesin e jetëgjatësisë.

Mesatarja Europiane për këtë tregues është 78 vite, ndërkohë që vendi me jetëgjatësinë më të lartë dhe që kryeson Europën është Lihtenshtejni me 83.1 vite, pasuar nga Zvicra dhe Suedia me 81.6 vite dhe 81.5 vite. Ndërsa Letonia dhe Bullgaria janë vendet me jetëgjatësinë më të shkurtër, me 69.8 vite dhe 70.9 vite.

Edhe shifrat për gratë tregojnë se renditemi poshtë mesatares së Bashkimit Europian, ku jetëgjatësia llogaritet në 83.4 vite.

Spanja, Lihtenshtejni dhe Zvicra janë tre vendet ku gratë kanë jetëgjatësinë më të lartë në Europë, përkatësisht me 85.9 vite, 85.6 vite dhe 85.4 vite. Ndërkohë, vendet me jetëgjatësinë më të ulët janë Bullgaria, Rumania dhe Hungaria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë