Njerez

Shfrytëzimi i të miturve në punë, Hazizaj: Mbi 7% mbajnë familjet e tyre me bukë

Nga Gazeta Si- 12 qershori përkon në ditën botërore kundër punës së fëmijëve. Kjo ditë për sensibilizimin e një fenomeni gjithmonë e më shumë në rritje është vënë në vëmendje edhe nga shoqëria civile në Tiranë.

Organizata për mbrojtjen e fëmijëve CRCA ka marshuar sot në sheshin “Nënë Tereza” për të ngritur zërin për mbrojtjen e fëmijëve.

Altin Hazizaj drejtori i CRCA tha gjatë marshimit se mbi 7 për qind e fëmijëve në vendin tonë  shfrytëzohen për të mbajtur familjet e tyre me bukë.

“Në dy vitet e fundit janë mbi 1 mijë telefona që qytetarë  të interesuar bëjnë për sa i përket shfrytëzimit të fëmijëve. Mbi 7 për qind të të miturve në Shqipëri janë fëmijë që punojnë, kujdesen për familje etj. Janë fëmijë që sot shfrytëzohen për të mbajtur me bukë familjet e tyre. E gjithë Shqipëria duhet të ishte sot në këmbë. Thirrja jonë është e thjeshtë, autoritetet të hapin sytë, janë fëmijë që s’kanë bukën e gojës”, tha Hazizaj ku ndër të tjera shtoi se vendi ynë ka probleme serioze dhe me largimin e fëmijëve në shtete të tjera për të punuar dhe me shfrytëzimin e fëmijëve edhe në miniera, “ndërkohë që autoritetet kanë zgjedhur të mbyllin sytë”.

Ndër të tjera ai u shpreh se nuk ka pasur reagime nga qeveritarët për këtë situatë dhe prandaj vendosi të bëjë një marshim.

“Nuk ka pasur reagime nga qeveritarët, ndaj organizuam sot një marshim. Mbetet një ndër fenomenet më të rënda të dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri. Për momentin jemi në një situatë të rëndë që kërkon adresim të menjëhershëm. Sot ka fëmijë që punojnë në shtëpitë e barit që është e pakonceptueshme”, thotë ai.

Në botë mbi 215 milionë djem dhe vajza punojnë, ndërsa 115 milionë prej tyre janë të ekspozuar ndaj forcave më të këqija të punës.

Hazizaj thotë se vetëm gjatë dy viteve të fundit, në ALO 116-111 u raportuan 748 raste të fëmijëve që shfrytëzohen për punë në Shqipëri. Pjesa më e madhe e këtyre raportimeve janë fëmijë që përdoren për lypës në zonat më të mëdha urbane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë