Dosje

Shfryhet vrasja në Bllok, Merviol Bilo qëlloi me armë se i rrezikohej jeta

Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë ish-komandon Merviol Bilo pa bërë asnjë ditë burg, i akuzuar për përplasjen me armë zjarri në ish-Bllok në 4 tetor 2018.

Ai është dënuar me 7 vite burg nga Gjykata e Tiranës me akuzën e plagosjes dhe armëmbajtjes pa leje, ku mbeti i vrarë Fabian Gaxha, si dhe u plagosën Elio Alias Hesmerald Hato dhe Ervis Martinaj.

Po duke qenë se Bilo përfiton nga gjykimi i shkurtuar, i ulet 1/3 e dënimit, duke iu caktuar 4 vite e 8 muaj burg, ndërkohë që i gjithë dënimi do t’i konvertohet në shërbim prove.

Gjatë gjykimit, avokatët e tij, Alban Bengasi dhe Elton Hyseni, arritën të bindin gjykatën se Bilo reagoi me armë për shkak se i rrezikohej jeta. Me këtë argument, se ai kishte reaguar për shkak të nevojës ekstreme, gjykatësi paraprak i pushoi akuzën ish-ushtarakut për vrasjen e Fabian Gaxhës.

Bilo ka qenë person i shpallur në kërkim që nga momenti që ndodhi ngjarja dhe nuk u kap asnjë ditë nga policia. I gjithë procesi gjyqësor ndaj tij është zhvilluar në mungesë.

Në vendimin e gjykatës, thuhet se tashmë është faktuar se ish-komandos i është rrezikuar jeta natën e ngjarjes në ish-Bllok.

Ndërkohë, biznesmeni Ervin Mata dhe miqtë e tij, Fabio Allushi dhe Ajaks Boshnjaku, u dënuan për moskallëzim krimi me 6 muaj burgim, që iu reduktua në 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Gjykata e pezulloi ekzekutimin e dënimit dhe urdhëroi Matën, Allushin dhe Boshnjakun të kryejnë secili nga 100 orë punë në interes  publik. Me shërbim prove u dënua edhe Geldo Hoti, i pranishëm në ngjarje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë