Libra

“Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri”

Sabina Veizaj - Akademiku shqiptar Albert Doja vjen me një përmbledhje publikimesh shkencore edhe në gjuhën e tij, “Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri”. Botim i Akademisë së Shkencave.

Pasi profesor Doja, edhe pse me kontribute të shkëlqyera sasiore dhe cilësore në lëmin e antropologjisë bashkëkohore, sociologjisë, analizës së politikave të indentitetit, etj ku ka analizuar një sërë fenomenesh të shoqërisë shqiptare, nuk ka libra të botuar në shqip.
“Studiues të njohur shqiptarë në botë ka plotë, por nuk gjenden në libraritë e Shqipërisë.

Kur kam bërë librin e parë, tezën e doktoraturës, vij ua ofroj atyre që merren me botimin e këtyre librave, më përcollën me fjalë shumë të mira, por ai libër ende nuk është botuar.

Ka të përkthyer plot libra, vitrinat plot,e nëse do të isha drejtor përkthimesh, nuk do ti kisha lejuar kurrë. Libra shkencorë të akademikëve dhe studiuesëve shqiptarë në botë, nuk gjen. Dëshira është shumë e madhe. Nuk është se më mungon dëshira, përkundrazi.”- thotë profesor Doja.

Ai aktualisht është profesor titullar në Univeristetin e Lilës në Francë, profesor vizitor në Harvard dhe anëtar i Akademisë së Shkencave në Shqipëri.

Me rastin e përvjetorit të 60-të të akademikut Doja, partnerja dhe bashkëpunëtorja e tij e ngushtë profesoreshë Enika Abazi është përkujdesur për këtë përmbledhje shkencore duke kuruar me shumë kujdes dhe elegancë hyrjen e librit “ Shfaqja Antropologjisë në Shqipëri.”

Termi “Shfaqja” në këtë libër siç e shpjegon edhe profesor Albert Doja, ka një kuptim trashendental; është një ideal drejt të cilit synohet por që nuk arrihet kurrë.
“Prandaj mos ma bëni kurrë këtë pyetje kur është shfaqur Antropologjia. Këtë nuk mund ta them. Është një ideal që ne e synojmë, por nuk e arrijmë. Është një horizont. Kontributi është se nëpërmjet këtij libri, shpresoj të paktën që antropologjia të shfaqet në një mënyrë të atillë, që të ndikojë në krijimn e konsolidimin e një tradite të shkruari në antropologji në veçanti dhe shkencat shoqërore në përgjithësi.”- shpjegon profesor Doja duke shtuar se përgjithësisht antropologët, përfshirë edhe të, kur iu bëjnë këtë pyetje, përherë tregojnë se ç’nuk është antrpologjia.

Për ti shpëtuar këtij kurthi, thotë ai, e kam nisur me një ftesë në terrenin e Antropologjisë, për të treguar se ku qëndron thelbi i kësaj shfaqjeje. Se si Antropologia ka kaluar në një sërë revolucionesh shkencore.

Libri “Shfaqja e Antropologjisë në Shqipëri” është një përmbledhje shkrimesh të shqipëruara që kanë për qëllim të shpjegojnë se si antropologjia është shfaqur dhe zhvillohet në Shqipëri në udhëkqryq midis Europës Lindore dhe Perëndimore.

Gjithashtu akademik Doja është përpjekur në këto shkrime shkencore të identifikojë format e ndryshme të dallimit midis praktikës së studimeve folklorike-etnografike dhe antropologjisë bashkëkohore, për të theksuar domosdoshmërinë e përqafimit të metodologjisë antropologjike në studimet e sotme shqiptare, si një mënyrë për të analizuar dhe interpretuar veçoritë shqiptare si pjesë integrale e proceseve të trashëgimisë botërore.

Qasja e analizës që profesor Doja u bën fenomeneve është holistike, jo analizë e elementëve të mëvetësishëm.
Profesor Dojën e kam njohur për herë të parë në një prej auditorëve të Universitetit Europian të Tiranës, ku ndiqja masterin për Shkenca Politike.

Në leksionin e parë u përballëm me një profesor të veshur me një xhaketë Burberry, pa flokë , me syze optike dhe një buzëqeshje të madhe modeste. Një profil atipik për një profesor shqiptar. Sikur të mos kishim nisur të bisedonim, nuk do ta mësonim që profesor Doja ishte shqiptar nga Korça, por për të gjitha arsyet e botës bashkë, ne nuk e njihnim deri në atë moment.

Por befasia ndaj profesor Dojës sigurisht që nuk mbeti tek portreti i tij fizik. Për të gjithë studentët e atij kursi profesor Doja qe një shok kulturor.
Në “Analizën e Politikave të Identitetit” ai do të na shpjegonte se kombi nuk ekzistonte në atë kuptim që ne e kishim mësuar deri në atë kohë. Ai e shihte kombin si një process formimi, jo një shumësi elementesh si gjuha, feja, flamuri, etj.

Gjatë leksioneve me profesion Dojën na u shkatërruan shumë koncepte që deri në atë kohë i kishim mësuar dhe analizuar ndryshe.
“Qëllimi im është t’ju lë pa gjumë”- thoshte në atë kohë profesor Doja. Por ia arrinte sepse për ne ajo mënyrë të studiuari ishte e rrallë për atë se çfarë dhe si ne kishim mësuar të studionim.

Profesor Doja me shumë pasion na transmetonte kureshtjen për antropologjinë, teorinë sociale, sociologjinë.
Veçanti e punës së profesor Dojës është se ai nuk ka përgjigjje, ai ngre pyetje, çështje.

Në shkrimet e librit që sapo është publikuar nga Akademia e Shkencave, profesor Doja ka paraqitur një perspektivë të re mbi mungesën e disiplinës së Antropologjisë Sociale, mbi ideologjizmin e folklorit etnografik apo etnografisë folklorike, si dhe mbi manipulimin e kulturës popullore.
Siç shkruan dhe profesoreshë Enika në parathënien e librit, argumentet dhe njohuritë e marra nga vlerësimi kritik i kontekstit politik dhe ideologjik në të cilin janë zhvilluar e lëvruar studimet shqiptare mund të jenë të dobishme për të vlerësuar në mënyrë krahasuese edhe përdorimet dhe keqpërdorimet e studimeve vendase në mbarë kontekstet nacional – komuniste dhe shoqëritë socialiste të Europës Lindore.

Akademik Doja është përqëndruar kryesisht në identifikimin e mënyrave të ndryshme të ushtrimit të studimeve folklorike-etnografike nga njëra-anë, dhe të studimeve antropologjike nga ana tjetër, duke u përpjekur që studimet e deritanishme mbi kulturën popullore në Shqipëri tia nënshtrojë një analize ideal-tipike, mbështetur në një qasje krahasuese me tradita të ngjashme studimore në vendet e tjera të Europës së Lindjes dhe Perëndimit.

Libri ka një strukturë që përbëhet nga tre pjesë; Parathënia “Manushaqe të egra për mendime të thella” nga Levi-Strauss tek Albert Doja.
Pjesa e parë “Ftesa në terren” ku të apasionuarit me antropologjinë dhe shkencat shoqërore mund të kuptojnë rrugëtimin e antropologjisë.
Pjesa e dytë “Këndvështrime” mbi projektin colonialist, karakterin etnofolklorik dhe projektin totalitarist.

Pjesa e tretë “Rezervati albanologjik” ai hedh një dritë tjetër mbi analizën e dukurive të ndryshme.

Albert Doja ka mbrojtur në vitin 1993 gradën e doktorit në "École des Hautes Études en Sciences Sociales" në Paris (Francë) në fushën e antropologjisë sociale. Në vitin 2004, fiton gradën e doktorit të habilituar në Universitetin Paris Descartes në fushën e sociologjisë dhe antropologjisë.

Në vitin 2008 ai fiton titullin "Profesor" dhënë nga Komisioni i Vlerësimit të Titujve Akademikë pranë Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe po atë vit zgjidhet Anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në fushën e antropologjisë.

Në vitin 2009 profesor Doja fiton kualifikimin “Profesor i universiteteve”, dhënë nga Këshilli Kombëtar i Universiteteve në Francë.[1] Pasi fiton konkursin kombëtar, me Dekret të Presidentit të Francës, në shtator 2011 emërohet Profesor titullar i Universiteteve në Université de Lille.

Interesat e tij kërkimore përfshijnë problematika të ndryshme teorike dhe praktike që lidhen me historinë e mendimit dhe teoritë socio-antropologjike, epistemologjinë e shkencave sociale, post-strukturalizmin dhe neo-strukturalizmin, antropologjinë e kulturës dhe të politikës së identitetit kulturor, fetar, gjinor, social dhe politik, manipulimet politike të kulturës, gjuhës, fesë dhe gjinisë, pushtetin e ideologjive, fesë dhe miteve në shoqëri dhe politikë, përkatësinë etnike dhe nacionalizmin, marrëdhëniet ndër-etnike, migrimet ndërkombëtare dhe komunikimet ndër-kulturore, antropologjinë e simbolizmit dhe të komunikimit, marrëdhëniet e shkëmbimit dhe sistemet e komunikimit në shoqëri dhe politikë, trashëgiminë kulturore, tranzicionin demokratik dhe transformimet shoqërore, çështje të modernitetit dhe post-modernizmit, prejardhjen e dijes dhe transmetimit të njohurive, teknikat e trupit, konceptin e personit, ndërtimin e gjinisë, farefisninë dhe rolin e teknologjive riprodhuese, shëndetit reproduktiv dhe planifikimit familjar.

Përpos një sërë librash, Albert Doja ka botuar një numër të madh artikujsh shkencorë origjinalë, kryesisht në anglisht dhe frengjisht, në revista ndërkombëtare peer-revieëed me bord redaktorial dhe me faktor impakti, si Journal of the History of Ideas; Social Science Information; Theory Culture & Society, Anthropology Today; Critique of Anthropology; Social Anthropology; History and Anthropology; Revieës in Anthropology; Anthropological Quarterly; Anthropos; European Legacy; Rural History Economy Society & Culture; Religion State & Society, Journal of Church & State, Numen, Journal of Family History, Onoma, etj.
Një pjesë e vogël e botimeve të tij janë përkthyer edhe në shqip, si dhe në gjuhë të tjera europiane (italisht, estonisht) apo aziatike (vietnamisht, turqisht).

Albert Doja ka dhënë kontributin e tij në mësimdhënie edhe në Univeristet shqiptare dhe institucione kërkimore ndërkombëtare dhe kombëtare, si Université de Provence Aix-marseille, Université de Paris-8, si dhe në Qendrën Kombëtare të Kerkimit Shkencor (CNRS) të Francës, apo University of Hull në Angli dhe University of Limerick në Irlandë. Në Shqipëri, ai ka punuar në Institutin e Kulturës Popullore, Universitetin e Durrësit, University of Neë York Tirana, Universitetin Europian të Tiranës dhe Universitetin e Korçës.

Që prej vitit 2004, Albert Doja është edhe Honorary Research Fellow në departamentin e antropologjisë në University College London në Angli. Prej vitit 2010, ai është gjithashtu Anëtar i Bordit të ekspertëve të Fondit flamand për Kërkimet Shkencore në Belgjikë në fushat e shkencave sociale dhe politike.
Midis vlerësimeve të tjera në fushën e antropologjisë, Claude Lévi-Strauss i ka shkruar më 1 korrik 2006 një letër personale ku ka vlerësuar "shkallën e njohurive të thella", si dhe "rigorozitetin dhe rëndësinë dialektike të analizave" të tij, apo edhe "guximin dhe largpamësinë" e tij në trajtimin e problematikave antropologjike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë