Politike

Shfaqet Rudina Hajdari, në takim në krah të ambasadorit Soreca

Deputetja e Partisë Demokratike, Rudina Hajdari u shfaq sot në krah të ambasadorit të Bashkimit Europian, duke dhënë një mesazh të qartë përsa i takon të ardhmes së saj. Deputetja e PD-së nuk pranuar që të dorëzojë mandatin, duke kundërshtuar vendimin e partisë. Nëpërmjet një postimi në Facebook ajo bëri të ditur se vendimin do ta merrte në konsultim me partnerët ndërkombëtarë. Këtë status e bëri kur ishte në SHBA.
Sëbashku me ambasadorin e BE-së, me Hajdarin ka qenë edhe deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni në Bashkinë e Vaut të Dejës, në një aktivitet për hapjen e një qendre për gratë.

Deputetja Rudina Hajdari, ambasadori Luigi Soreca dhe deputetja e PS, Eglantina Gjermeni në aktivitetin e sotëm

“Duhet të punojmë bashkë në të gjitha fushat për të arritur gjërat elementare. Mos harroni kurrë se ju jeni forca e këtij qyteti, por duke punuar bashkë, duke ngritur zërin si sot, ne nuk do ishim në dijeni të problemeve dhe t’i adresonim ato”, deklaroi Hajdari në këtë takim.
Ajo theksoi se do të jetë në krah të grave, “në plotësimin e nevojave të tyre. E pyetur nëse foli si deputete dhe a do te vazhdoje te mbaje mandatin, ajo ka dhënë përgjigje shkurt:“Jo, fola si qytetare e Shqipërisë!”.
Sa i përket krizës politike, ndërkombëtarët kanë kërkuar prerazi dialog me palët. Vizita më e fundit e Drejtorit të Zgjerimit të BE-së, Christian Danielsson në Tiranë synonte të bindte palët për gjetjen e një dialogu për krizën e krijuar. Ai mbajti qëndrim të fortë duke deklaruar se djegia e mandateve minon procesin e integrimit evropian.

“Shpresoj që të gjithë qytetarët e Shqipërisë, që ftesa jonë për të rivendosur një mjedis politik më konstruktiv, të mos mbetet i padëgjuar. Ky është një mision i përbashkët kombëtar. Danielsson përfundon një vizitë shumë intensive dhe konstruktive njëditore në Tiranë”, do të shkruante ambasadori Soreca në rrjetet sociale.
Aktiviteti i sotëm i BE-së shihet edhe si një mesazh ndaj politikës shqiptare, pasi të pranishëm ishin dy deputetë të mazhorancës dhe opozitës.
Nga Partia Demokratike, deputetët Rudina Hajdari dhe Myslym Murrizi refuzuan që të dorëzojnë mandatin e tyre. Ata janë të vetmit që përfaqësojnë aktualisht Partinë Demokratike në Parlament. Ndërsa është paralajmëruar përjashtimi i tyre nga PD-ja, pasi thyen urdhrin e partisë për dorëzimin e mandateve.
Edhe pse nuk kishte një deklaratë të prerë, Hajdari me anë të postimi në rrjetet sociale shkruan se “gjatë kësaj periudhe jam konsultuar me personalitete politike të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësues të aleatëve më të çmuar, seriozë e të vendosur në rrugën e vështirë të kombit tonë, që nga shpallja e pavarësisë, rrëzimi i regjimit komunist e më tej në proceset transformuese të zhvillimit ekonomiko-social dhe të integrimit euroatlantik”. Dalja e saj në krah të ambasadorit të BE-së, që kërkon dialog dhe ishte kundër djegies së mandateve, ishte një tjetër mesazh që Hajdari po përpiqet të tregojë, jo vetëm nëpërmjet deklaratave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë