Futboll

Shezni ndez derbin e Italisë: Interi nuk ka asgjë më shumë se Juventusi!

Gazeta Si - Vojsiesh Shezni karikon Juventusin para derbit të Italisë: "Interi është shumë i fortë, por mendoj se nuk ka asgjë më shumë se ne. Shënon shumë gola dhe pëson pak, po bën mirë gjithë sezonin, por ne shkojmë në ‘San Siro’ me shpresën për t’u kthyer në shtëpi me një rezultat të rëndësishëm”.

Portieri polak, duke folur për ‘TNT Sports’, tregon se çfarë ka më shumë frikë për mbrëmjen e së dielës: "Po studioj si Çalhanoglu, ashtu edhe Lautaron, janë gjuajtës të mirë penalltish, por shpresoj që të mos ketë penallti. Çalhanoglu është shumë i zoti, nuk ka nevojë ta studiosh shumë, sepse ai i gjuan mirë dhe nuk mund t’ia presësh gjithsesi”.

Shezni nuk e sheh si ndeshje vendimtare për titull këtë Inter-Juve: "Janë edhe 14-15 ndeshje, nuk vendos për titullin. Me siguri do të japë një sinjal të fortë për kampionatin, nëse një nga dy skuadrat fiton. Kujtimi më i bukur nga derbi i Italisë? 3-2-shi në ‘San Siro’ i 2017/18-ës, ishte vendimtar për titullin e atij viti. Ishte titulli im i parë".

Polaku më tej rendit edhe pikat e forta të Juventusit: "Në fazën e parë të sezonit nuk kemi luajtur mirë, por nuk kemi pësuar gola dhe kemi fituar në minutën e 90-të. Kjo është pika jonë e fortë këtë sezon. Pastaj kualiteti i individëve dhe trajnerit. Alegri e kupton mirë ndeshjen dhe në momente të caktuara e di si dilet. Mjaft i zoti me ndërrimet. I lexon shumë mirë ndeshjet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë