Futboll

Sherrxhiu Grezda godet kundërshtarin, rrezikon dënim shembullor në Kroaci

Eros Grezda është bërë protagonist në Kroaci mbrëmjen e së dielës, por në sensin negativ. Madje shumë negativ, aq sa rrezikon një dënim shembullor. Ai ka goditur me grusht një lojtar kundërshtar pas ndeshjes gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë mes Rijekës dhe Osijekut, që përfundoi 3-2.

Sulmuesi i Kombëtares, i lënë jashtë nga trajneri Reja në grumbullimet e fundit, ka debatuar me sulmuesin Çolak në parkingun e stadiumit dhe më pas është konfrontuar fizikisht me të. Sipas shtypit sportiv kroat, ishte Grezda ai që e sulmoi i pari lojtarin e Rijekës dhe e gjithë ngjarja tashmë është raportuar nga delegati i ndeshjes. Klubi i Rijekës do të ngrejë një padi për Grezdën, për të cilin pritet të ketë një dënim që mund ta lërë jashtë fushave për shumë kohë. Shtypi kroat gjithashtu ka sjellë në vëmendje dhe një tjetër incident të shëmtuar të Grezdës në kohën kur luante me Gllasgou Rejnxhërs, kur ai pështyu një lojtar kundërshtar.

Artikulli i "Sportskejutarnji.hr" për Grezdën. Gazeta Si, 1 qershor 2020

Ja çfarë shkruan konkretisht “sportskejutarnji.hr”
Ndeshja Rijeka-Osijek pati edhe një pjesë të tretë, ku protagonist ishte Eros Grezda. Jo me ndonjë gol të shkëlqyer që ai shpesh dinte të shënonte, por me një sherr me grushte ndaj Antonio Mirko Çolak.

Delegati i ndeshjes, Ivan Smokroviç, ka raportuar gjithçka në protokollin e ndeshjes: "Pas ndeshjes, në stadiumin “Rujevica”, në parkingun para dhomave të zhveshjes ka pasur një përplasje fizike. Eros Grezda ka goditur në kokë lojtarin e Rijekës, Antonio Mirko Çolak. Policia ka ndërhyrë në kohë dhe ka mbledhur të dhënat për ngjarjen”.

Incidenti ndodhi në pjesën e parkingut, ku zakonisht ka pjesëtarë të të dyja skuadrave, ndodhet dhoma e delegatëve, e gjyqtarëve, dhe dhoma e dopingut, ku Ante Majstoroviç, lojtar i Osijekut, duhej të kryente testin anti-doping. Sipas dëshmitarëve, Grezda dhe Çolak kanë debatuar me fjalë dhe më pas janë zënë me grushte. Po ashtu, të pranishmit kanë thënë se Grezda ishte i pari që sulmoi, duke hedhur diçka drejt Çolak dhe më pas e goditi me grusht. Për fat, policia ishte afër dhe sherri nuk u përshkallëzua. Një veprim i pamatur që mund t’i kushtojë shtrenjtë Grezdës. Ende nuk është e qartë se çfarë i bëri Çolak atij, sepse në fushë gjithçka mbeti brenda kornizës së ndeshjes.

Çolak pati një dëmtim të vogël, por për shkak të tronditjes qëndroi në stadium për pak kohë. Lojtari i Rijekës e ka denoncuar Grezdën në polici dhe do të bëjë edhe një padi. Po ashtu, klubi i Rijekës do ta mbrojë ligjërisht lojtarin e vet. Presidenti i Rijekës, Mishkoviç, ka qenë shumë i revoltuar. Ngjarja do të procedohet nga policia dhe Grezda me siguri rrezikon shumë, pasi gjithçka është parë nga shumë dëshmitarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë