Politike

Sherret në Kuvend, Rama: Flemë me qenin, gdhihemi me pleshta!

Në një takim me studentët ekselentë në Korçë, që i ngjante formatit të një tubimi për hapjen e fushatës së zgjedhjeve lokale të qershorit, Edi Rama ka kërkuar ndjesë publike për gjuhën e përdorur të enjten e shkuar në seancën parlamentare gjatë replikës me ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në një takim publik, që është i pari i ciklit kombëtar “Bashkia që duam”, kryeministri, përveç se kërkoi ndjesë, nuk hoqi dorë as nga batutat.

“Ne nuk kemi problemin si të zgjidhemi, ne kemi problemin si të vazhdojmë të garantojmë që qytetarët të fitojnë më shumë. Ka një shprehje të bukur që thotë "Fituesit merren me fitoren, humbësit merren me fituesin". Ne merremi me si do të fitojmë përsëri për të fituar më shumë qytetarët, ata merren me ne gjithë kohës. Unë ju kërkoj ndjesë për mëkatet tona të të enjtes, sepse ‘kush fle me qenin gdhihet me pleshtin’, - tha ai. - Ditën e enjte, duam apo nuk duam shkojmë dhe futemi te ajo kasollja qenve. Kështu që duam apo nuk duam përzihemi edhe ne me ta dhe nganjëherë dukemi edhe ne si ata. Por një gjë është e sigurtë. Ne nuk jemi si ata. Ne jemi ndryshe”, u shpreh Rama.

Ndër të tjera shefi i qeverisë tha se qyteti i Korçës ka pësuar transformim falë punës së ekipit që ai drejton.

Mes tjerash, shefi i ekzekutivit u ndal edhe te studentët, të cilët siç tha ai do të kenë mundësi të mira punësimi në administratë dhe kjo do të behët sipas rezultateve që ata marrin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë