Bota

Shërbimet sekrete ukrainase shënjestrojnë dyshen Putin-Prigozhin: Duam t’i vrasim

Gazeta Si - Presidenti rus Vladimir Putin "është në krye të listës, ne po përpiqemi ta vrasim". Kështu deklaroi nënkryetari i inteligjencës ukrainase, Vadim Skibitsky, në një intervistë për gazetën gjermane, “Die Welt”.

"Detyra jonë prioritare është të shkatërrojmë komandantin e njësisë që u jep njerëzve të tij urdhrin për të sulmuar", tha Skibitsky dhe Putini është ai që "koordinon dhe vendos se çfarë ndodh".

Më pas, një pyetje e drejtpërdrejtë nga gazeta: "Cila është marrëdhënia juaj me Prigozhin, kreun e grupit mercenar Wagner?".  Skibitsky përgjigjet: "Ne po përpiqemi ta vrasim".

Skibitsky kërcënoi gjithashtu se do të shkatërronte portin e Mariupolit, duke e quajtur atë një nga pikat kritike logjistike të forcave të Moskës.

“Po afrohemi gjithnjë e më shumë” me Putinin, shtoi zyrtari i lartë, duke nënvizuar se edhe presidenti “ka frikë se mos vritet nga njerëzit e tij”.

“Zgjedhja për të vrarë presidentin Putin dhe mua, është e kuptueshme”. Kështu deklaroi Yevgeny Prigozhin, kreu i kompanisë ushtarake private Ëagner, duke iu përgjigjur asaj që u deklarua nga nënkryetari i inteligjencës ushtarake në Kiev, Vadim Skibitsky.

"Mund të them se ukrainasit dhe natyrisht Drejtoria kryesore e Inteligjencës, janë njerëz mjaft mizorë", shton Prigozhin në një nga kanalet e tij në Telegram.

Nga ana tjetër, shërbimet përgjegjëse për sigurinë e presidentit rus Vladimir Putin, "e dinë punën e tyre dhe e dinë se çfarë po bëjnë".

Kështu deklaroi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke komentuar deklaratat e zëvendësshefit të shërbimeve sekrete ushtarake të Ukrainës, Vadim Skibitsky, sipas të cilit “objektivi parësor” i operacioneve në Kiev është pikërisht Putini.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë