Treg

Shërbimet, Covid-19 goditi më shumë agjencitë turistike tek shitjet

Kriza e shkaktuar nga pandemia COVID-19 goditi së tepërmi shërbimet, veçanërisht në industrinë e turizmit, si drejtpërdrejtë ashtu edhe në sektorët e tërthortë që kanë lidhje me të për shkak të prishjes së zinxhirit nga bllokimet dhe kufizimet në të gjithë botën.

Për këtë arsye, në zinxhirin e shërbimeve, Agjencitë turistike, hotelet dhe baret e restorantet u tronditën më fort si në aspektin e shitjeve, largimeve nga puna të punonjësve dhe uljen e pagave.

Të dhënat më të fundit të INSTAT e konfirmojnë duke treguar se indeksi i shitjeve neto në volum tek agjencitë turistike shënoi rënie 85,6 % tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me tremujorin e dytë 2019.

Shitjet në rënie ndiqen nga hotelet ku indeksi i shitjeve neto në volum në këtë aktivitet shënoi rënie 63,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.

Edhe restorantet janë goditur përsa i përket shitjeve, ku  indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 55,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare.

Rënia e shitjeve vijon me aktivitetet e arkitekturës dhe inxhinierisë ku indeksi i shitjeve neto në volum shënoi rënie 40,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe Transport, Magazinim dhe Postë (40%).

Më pak krahasuar me aktivitetet e mësipërme e kanë ndjerë goditjen e krizës, por sigurisht që kanë pësuar rënie janë  tregti me shumicë dhe pakicë, informacion dhe komunikacion (5,9%), riparimi i automjeteve dhe motorçikletave (5,8%).

Në termat e indeksit të numrit të të punësuarëve më shumë janë goditur bar-restorantet me një rënie prej 31,8 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, të cilët pasohen nga hotelet ku indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie 20,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë referuese. Ndër agjencitë turistike indeksi i numrit të të punësuarve shënoi rënie 12,1 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Mandej rënia bie në aktivitetet Aktivitete Arkitekture dhe Inxhinierike ku ky indeks shënon 2,5 % rënie krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë,  Informacion dhe Komunikacioni (2,3 %), Tregti me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motorçikletave (2,2%), Transport, Magazinim dhe Postë ( 0,8 %).

Edhe përsa i përket rënies së fondit të pagave, më i goditur ka qenë aktiviteti i Bar-Restoranteve.

Indeksi i fondit të pagave në këtë aktivitet shënoi rënie 30,7 %, krahasuar me tremujorin e dytë 2019, pasuar nga Hotelet Hotele (24,3 %), Agjencitë e Udhëtimit (22,2%).

Transport, Magazinim dhe Postë ka patur një rënie prej 8,5 % në fondin e pagave tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me tremujorin e dytë 2019, pasuar nga Tregti me shumicë dhe pakicë, riparimi i automjeteve dhe motorçikletave (1,5%), Informacion dhe Komunikacion (1,2%) e Aktivitete Arkitekture dhe Inxhinierike (1%).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë