Ekspozite

Shenjat e revolucionit mbërrijnë në Prizren

“Autostrada Biennale”, e kthen qytetin në një vepër të madhe arti. Stacioni i Autobusëve, Muzeu Arkeologjik, Gjimnazi “Gjon Buzuku”, ish-burgu (Shatërvan) dhe Kalaja janë mbushur me veprat e mbi 40 artistëve nga e gjithë bota. “Rezistenca buron nga arti, filmi, poezia”.

Ndodhemi në Hamamin e Gazi Mehmed Pashës, në Prizren, ku Sislej Xhafa, një emër i njohur i artit bashkëkohor, po sjell konceptin e tij mbi revolucionin si gjendje, por dhe si ndërgjegjësim. Dhjetëra artistë të ardhur nga vende të ndryshme të botës, i janë bashkuar edicionit të dytë të Bienales së Artit “Autostrada Biennale” e cila po mbahet në Prizren. Nën moton “Revolucioni jemi ne”, një temë e provokuar këtë vit nga kuratori italian Giacinto Di Pietrantonio,  damarët kryesorë të qytetit historik si Stacioni i Autobusëve, Muzeu Arkeologjik, Gjimnazi “Gjon Buzuku”, ish-burgu (Shatërvan) dhe Kalaja janë “pushtuar” nga artistët. Të shtunën më 20 korrik, Di Pietrantonio zgjodhi stacionin e autobusëve për të bërë hapjen zyrtare të Bienales, e për ti ftuar të pranishmit në një udhëtim aspak të zakonshëm nëpër qytet. E pranishme në këtë ceremoni ishte dhe Ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Elva Margariti. “Revolucioni nuk ka lidhje thjesht dhe vetëm politikën. Së pari ai duhet nisur nga vetja. Sa i takon artit, ai është gjuhë, është kërkim. Mbi këtë koncept mori udhë “La Rivoluzione siamo noi” në  “Autostrada Biennale” ”, shkroi Margariti në Facebook për këtë ngjarje.

Më tej, Hamami i Gazi Mehmet Pashës, u bë ndalesa për një thellim të ideve mbi temën e këtij edicioni. Në një panel të moderuar nga Hajrullah Çeku diskutuan kuratori i bienales Giacinto Di Pietrantonio, artisti Sislej Xhafa, filozofi Yehuda Emmanuel Safran dhe artisti Klod Dedja. Për Di Piertanonio idea e tij për revolucionin kishte të bënte me depërtimin në gjuhën e artit. Motoja “Revolucioni jemi ne”, sipas tij e bën të mendojë më shumë për revolucionet personale, dhe në rastin e artit, për ato gjuhësore, dhe jo aq shumë për revolucionet politike.  “Arti, edhe kur nuk duket i tillë, është gjithmonë bartës i risive, i hapjes, i ndryshimit dhe mbi të gjitha, i lirisë. Kurrë nuk e kam menduar artin si një fakt estetik apo kënaqësi soditëse, por një shprehje e dendur njerëzore e etikës dhe e estetikës”, u shpreh Giacinto Di Pietrantonio. Ai e sheh artin si një shërbim estetik ndaj etikës, siç na sugjeron Walter Benjamin.

Filozofi Yehuda Emmanuel Safran, bëri një analizë historike të revolucioneve. Në mesin e fjalëve të tij të pasura ai shtjelloi shumë koncepte të tjera. Foli për filozofë, shkencëtarë, autorë, njerëz të fushave të ndryshme të cilët, secili në formën e tyre kanë bërë revolucion. Për të, Giordano Bruno është revolucionari më i madh. Apo, se si koncepti i nostalgjisë lind nga malli i madh për shtëpinë. E, shumë koncepte të tjera me anë të të cilave të pranishmëve u dha një dozë shtesë në këndvështrimin e tyre për Revolucionin. Klod Dedja, artist nga Tirana zgjodhi të komunikonte me të pranishmit, përmes performancës. Sipas tij, pa revolucionin ne nuk mund të ekzistojmë.

Por çfarë është në të vërtetë Revolucioni sipas Giacinto Di Pietrantonio?

Kuratori i edicionit të parë të “Autostrada Biennale” Manray Hsu, zgjodhi të kishte një koncept utopik, duke dashur të bënte një kombinim mes veprave dhe ndërhyrjeve, ku qytetarët dhe vizitorët të përfshiheshin në një reflektim.

Giacinto Di Pietrantonio, kurator i edicionit të dytë, kërkon sërish një lloj reflektimi. Duket se pavarësisht largimit që arti bashkëkohor ka nga përcjellja e mesazheve, në fund ai kthehet përsëri tek ato.

Profesor i Historisë së Artit në Akademinë e Breras (Milano) dhe kurator i disa Residencave Artistike Di Pietrantonio sjell në këtë edicion shqetësimet e kohës. “Është e natyrshme që duke jetuar në një botë ku jeta virtuale është shndërruar në diçka vendimtare për ekzistencën tonë, në momentin që na shfaqet një ide në kokë, hapi i parë është të hymë në internet dhe të kërkojmë në Google për lajme apo referime që mbështesin idenë tonë. Nëse kërkojmë në Google “La Rivoluzione siamo noi” për 0,47 sekonda na shfaqen 27.700.000 rezultate, pra një gjë me përmasa të mëdha. Sido që të jetë, për të gjithë ata që merren me art, është shumë inkurajuese të shihet se rezultati i parë që del është vepra e Joseph Beuys-it, e vitit 1971, me titullin “La Rivoluzione Siamo Noi”. Titulli nuk është përkthyer sepse Beuys e emërtoi veprën në italisht, në kohën kur e mendoi dhe punoi  veprën në Itali, një gjë të madhe e të shumëfishtë në letër, një lloj posteri, i prodhuar nga agjencia “Modern Art Agency” në Napoli. Bëhet fjalë për një printim të ngjyrave me dimensione 185X106 cm, i botuar në 180 ekzemplarë, në të cilin shfaqet Beuys, duke ecur drejt nesh me kapelë tirku në kokë, këmishë të bardhë, jelek peshkatarësh, xhinse, çizme dhe çantën në supe”, shkruan ai në konceptin e këtij ediocioni.Kjo është një nga veprat e artit bashkëkohor të cilën ai e parapëlqen për shumë arsye, si ato formale, gjithashtu edhe për nga përmbajtja. “Është vepra të cilën do ta merrja po të mbetesha në një ishull të vetmuar. Pra, është një vepër të cilën e mbaj gjithmonë me vete, e cila më shoqëron që në momentin kur mësova për të. Pastaj, disa vite më parë, ia dola që të siguroj një ekzemplar, të cilin e instalova në hyrje të shtëpisë sime. Dhe në fakt, kushdo që më viziton në shtëpi është i mirësepritur, si nga unë, po ashtu edhe nga Joseph Beuys, i cili ecën pas meje drejt mysafirit, dhe për një moment, unë dhe mysafiri apo mysafirët bëhemi “Revolucioni Jemi Ne” ”, vazhdon ai.

Është evidente se sot, por edhe prej disa dekadash, termi revolucion tingëllon si i dyshimtë. Kjo për shkak të dështimeve të tregimeve të mëdha, të cilat nga Iluminizmi e më vonë e kanë mbajtur botën me premtime revolucionare, qoftë të së djathtës, qoftë të së majtës, e që kanë prodhuar dramat e shekullit të XX-të të cilat të gjithë i dimë shumë mirë. Dhe për shkak të këtyre dramave, në fund të shekullit të gjithë nxituan ta varrosnin fjalën revolucion, por me të cilën gjithashtu varrosën shpresat për të ardhmen.

Është e njohur se Benjamini flet për veprën “Angelus Novus” të vitit 1920, të Paul Klee, duke i dhënë kuptimin e një engjëlli historik, me trupin drejt së ardhmes, përderisa fytyrën dhe shikimin i ka të kthyer nga e kaluara, apo me fjalë të tjera ndërmjet të vjetrës dhe të resë. Ndërsa Friderich, në veprën e tij ‘’Udhëtari në Detin e Mjegullës’’, pikturon një figurë të vetmuar të njeriut dhe të artistit romantik udhëtar, i cili ndalet dhe vëzhgon nga lart një hapësirë të madhe mjegulle me shpinë të kthyer nga ne. Është vetmia romantike e njeriut përballë madhështisë së natyrës, të cilën Beuys e riprodhon në veprën fotografike “Mbrojtjes së Natyrës (klaviçembal)”, me dimensione 99,5 x 67 cm të vitit 1981, saktësisht dhjetë vite pas “Revolucioni Jemi Ne”.

Këtu gjejmë shumë prej çështjeve urgjente të shoqërisë bashkëkohore si marrëdhënia me shoqërinë, historinë, natyrën, dhe qenien tonë në botë, por jo në mënyrë pasive-didaktike, por aktive dhe duke ecur drejt së ardhmes. E tërë kjo nuk është në mënyrë didaktike, përndryshe nuk do të ishte art, por në mënyrë aktive. Dhe, kur them aktive, nuk referohem në një ide të aktivizmit, por në atë të ndryshimit të ndërgjegjjes, të cilën çdo vepër arti e provokon, pak a shumë. Në të vërtetë thuhet se vepra e Beuys-it nuk ka asgjë të bëjë me “revolucionaren”, nga pikëpamja e një ikonografie didaktike, e cila do të duhej të përmbante një simbol politik.

Vepra na tregon udhëtimin drejt botës, nëpër botë dhe për botën. Siç na sugjeron “Revolucioni Jemi Ne”, duhet të lëvizim drejt së ardhmes, sepse nuk jemi engjëj të shtyrë nga stuhia e cila vjen nga parajsa, dhe as udhëtarë të palëvizshëm dhe soditës të një deti të mjegullt, metaforë e një të ardhme të pasigurt. Por sikur arti, ne jemi qenie në lëvizje, duke ecur drejt së ardhmes që edhe nëse e pasigurt, duhet gjithmonë ta kërkojmë.

“E kjo është e ardhmja të cilën përpiqemi ta kuptojmë në edicionin e ri të Autostradës Bienale”, shkruan ai.

Artistët që morën pjesë

Mbi 20 artistë janë përzgjedhur për të marrë pjesë në këtë edicion. Mes tyre janë dhe tre artistë të njohur nga Shqipëria si Ardian Paci, Driant Zeneli dhe Iva Lulashi. Artistët e tjerë pjesëmarrës janë Giulio Alvigini (Itali), Apparatus 22 (Rumuni), Levent Bütüçi (Kosovë), Nemanja Cvianovič (Kroaci), Lana Čmajčanin (Bosnia dhe Herzegovina), Mirza Dedač (Serbi), Jan Fabre (Belgjikë), Jakup Ferri (Kosovë), Lek M. Gjeloshi (Shqipëri), Emre Hüner (Turqi), Hristina Ivanoska (Maqedonia Veriore), Lorena Kalaja (Amerikë), Sanja Latinović (Serbi),  Itali), Mucci Comics – Marco Mucci and Matteo Pomanti (Itali), Fatmir Mustafa – Karllo(Kosovë), Kolektivi Orkide (Kosovë), Anatoly Osmoloëski (Rusi),  Tommaso Pincio (Itali), Ilija Šoškić (Mali i Zi), Somer Şpat (Kosovë), Giuseppe Stampone (Itali), Lola Sylaj and Dardan Zhegrova (Kosovë), The Cool Couple – Niccolò Benetton and Simone Santilli (Itali), Francesco Vezzoli (Itali).

“Autostrada Biennale” kërkon ta kthejë Prizrenin në një qendër komunikimi të artit bashkëkohor, si një ide e hershme e tre bashkëthemeluesve Vatra Abrashi, Leutrim Fishekqiu dhe Bariş Karamuço. / Sindi Bego


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë