Politike

Shengeni rajonal, Rama-Vuçic-Zaev rifillojnë nismën “online”, ftohet edhe Kosova

Presidenti i Serbisë,  Aleksandar Vuçiç, kryeministri Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev zhvilluan të premten një takim përmes platformës Zoom për nismën e Shengenit rajonal.

Në një njoftim për shtyp thuhet se të tre udhëheqësit ranë dakord se kriza si pasojë e Covid-19 e ka theksuar nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe integrimit ekonomik rajonal.

Gjatë takimit online, Presidenti Vuçiç dhe kryeministrat, Rama dhe Zaev, theksuan se nisma është në përputhje të plotë me Procesin e Berlinit dhe shërben si bazë të mirë për përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor për takimin e ardhshëm që ato do të mbajnë në muajin nëntor në Sofje.

Sipas tyre, është shumë e rëndësishme që në nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal të marrin pjesë të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ata ftuan zyrtarisht edhe Kosovën që të bashkohet me këtë nismë.

Ftesa vjen edhe në mbështethje të asaj që u arrit  në takimin e Uashingtonit në shtator të këtij viti midis Presidentit serb, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti.

Ata ranë dakord gjithashtu të ngrenë një grup të përhershëm pune, në funksion të kësaj nisme.

Të tre liderat u dakordësuan të thellojnë bashkëpunimin dhe të linjëzojnë politikat lidhur me shëndetin publik në kontekstin e luftës kundër Covid-19.

Tre udhëheqësit thanë se shpresonin që, së shpejti, edhe qeveritë e Malit të Zi dhe Bosnje-Hercegovinës do të mund t’i bashkoheshin nismës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë