Lajme

Shefi i NATO-s: Baza e Kuçovës do të forcojë sigurinë e Shqipërisë!

Presidenti Ilir Meta dhe sekretari i Përgjithshëm të Aleancës së Atlantikut të Veriut, Jens Stoltenberg janë takuar sot në Bruksel ku kanë diskutuar për sigurinë e Ballkanit Perëndimor, rolin e Shqipërisë dhe integrimin europian.

Në një konferencë të përbashkët për mediat, Stoltenberg u ndal tek baza e Kuçovës dhe marrja e drejtimit të OSBE-së,

“NATO po realizon një bazë të re në Shqipëri, që do forcojë sigurinë në vendin tuaj. Vitin tjetër Shqipëria do marrë rol të rëndësishëm në sigurinë botërore, në OSBE. Është jetike. Bashkëpunimi i NATO me OSBE është shumë i rëndësishëm“,- tha Jens Stoltenberg.

Sekretari i NATO-s diskutoi edhe për rëndësinë e ndarjes së barrës me aleancën dhe rritjen e investimeve në mbrojtje.Ai vlerësoi rolin e Shqipërisë në NATO dhe pjesëmarrjen e saj në gjithë misionet ku është kërkuar nga aleanca.

“Ju luani rol të rëndësishëm, duke shtuar më shumë sigurinë në Ballkan. Me misionet që ka në Afganistan, për të luftuar terrorizmin në rajonin e baltikut, duke dërguar forca në Lituani. Të gjitha këto tregojnë angazhimin e Shqipërisë në NATO”, tha Stoltenberg.

Ai dhe presidenti Meta diskutuan edhe mos hapjen e negociatave me Shqipërinë, duke shprehur shqetësim. Sipas Metës, Shqipëria duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për t‘u integruar në familjen europiane.

“Unë dhe zoti Stoltenberg shprehëm shqetësim për mos-hapjen e negociatave me Shqipërinë nga ana e Këshillit të BE. Por siç e kemi thënë edhe në konferencën e përbashkët me presidentin e Maqedonisë së Veriut, kemi thënë se duhet të shtohen punët për të dërguar Shqipërinë sa më afër BE-së. Unë jam i sigurt se ne do të dyfishojmë përpjekjet për të bërë më shumë me qëllim që të arrijmë diçka më shumë”, tha Meta.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, tha se aktualisht Aleanca nuk ka një projekt për të ndërtuar një bazë detare në Shqipëri, por shtoi se çështja do të diskutohet dhe do të merret një vendim.

Disa ditë më parë, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka përmes një letre zyrtare e ka prezantuar komandantin e Komandës Supreme për Europën, gjeneralin amerikan Tod D. Wolters me planin e qeverisë shqiptare për modernizimin e bazës detare të Pashalimanit, me qëllim përdorimin e saj nga Aleanca. Xhaçka ka shprehur gatishmërinë e palës shqiptare për hartimin dhe zbatimin e një plani të përbashkët me NATO- n për zhvillimin e mëtejshëm të bazës detare, konform standardeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut.

Stoltenberg, i pyetur për këtë çështje gjatë konferences, tha se “kërkesa që na është bërë është e rëndësishme për Shqipërinë, por edhe për NATO-n. Ne kemi një program aktualisht që po punojmë për një bazë në Shqipëri (Baza ajrore e Kuçovës). Për momentin nuk kemi një projekt për një bazë detare, por do të diskutohet dhe do të merren vendime.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë