Para

SHBA zgjidh thesin, 2 trilionë dollarë për t’u përballur me koronavirusin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë hapur thesin duke vendosur fondin rekord prej 2 trilion dollarësh për t’i bërë ballë krizës ekonomike dhe sociale të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, që po përhapet me shpejtësi përtej Atlantikut.

Shuma është dakordësuar mes demokratëve që kontrollojnë Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë të drejtuar nga Donald Trump dhe ajo përbën rreth 9 përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të SHBA-ve.

Dy trilionë dollarë janë konceptuar si një stimul për ekonominë, duke u shpërndarë kryesisht drejtpërdrejtë në xhepat dhe llogaritë e qytetarëve amerikanë, ndërsa gjysmë trilioni tjetër do të alokohet për kompanitë në vështirësi nga koronavirusi.

Sekretari i Thesarit, Steven T. Mnuchin dhe udhëheqësi i demokratëve në Senat, Charles E. Schumer nga demokratët negociuan paketën e ndihmës për dy ditë me radhë, për të gjetur dakordësinë ditën e martë. Këtë të mërkurë pritet miratimi në Senati dhe më pas direkt pa humbur kohë edhe vota në Dhomën e Përfaqësuesve.

“Më në fund kemi një marrëveshje që çliron burime të reja financiare edhe në vijën e parë të betejës, sistemin shëndetësor amerikan. Injekton gjithashtu triliona dollarë në ekonominë, sa më shpejt që të jetë e mundur për të ndihmuar punonjësit amerikanë, familjet, bizneset e vogla dhe industrinë për të përballuar këtë emergjencë dhe për të kaluar në anën tjetër të tunelit”, deklaroi senatori republikan, Mitch Mçonnel.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve nuk janë kthyer ende nga pushimet e zakonshme dhe sipas rregullores së Kongresit, votimi në distancë nuk lejohet. Nancy Pelosi, kryetarja e kësaj Dhome sinjalizoi të martën se mënyra më e shpejtë për të miratuar këtë fond ishte përmes konsensualitetit unanim, një taktike që zakonisht ndiqet për të kaluar akte të vogla dhe për të cilat palët nuk kanë përplasje.

Plani prej 2 trilionë dollarë është masa e tretë stimuluese ekonomike e propozuar nga Kongresi, për të adresuar krizën ekonomike, financiare dhe sociale të pandemisë. Ajo pason fondin prej 8.3 miliardë dollarësh të përcaktuar kryesisht për të financuar prodhimin e një vaksine dhe paketën e dytë të miratuar javën e kaluar për t’u siguruar më shumë akses pacientëve të infektuar me koronavirus në shërbimin shëndetësor me pagesë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë