E ngarkuara me punë e SHBA-ve në ambasadën amerikane në Tiranë, Leyla Moses-Ones, ka vlerësuar pozitivisht policinë shqiptare për punën e bërë kundër terrorizmit. Në seminarin që po zhvillohet në Tiranë mbi përdorimin terrorist të teknologjisë, Moses-Ones nxiti policinë që të vazhdojë në të njëjtin drejtim në luftën kundër terrorizmit, duke vlerësuar kontributin e saj.
“Dua të vlerësoj përpjekjet e policisë gjatë vitit të kaluar. Keni treguar profesionalizëm për të mbrojtur qytetarët. Dëshiroj t’ju nxis që të vazhdoni në atë drejtim. Është një kohë e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe sigurinë rajonale”, tha ndër të tjera Moses-Ones.
Ajo garantoi mbështetjen e SHBA-ve në këtë sfidë.
“SHBA mbeten të fokusuara në nxitjen e sigurisë rajonale dhe një nga mjetet kryesore është ndihma në sundimin e ligjit. Gjatë 8 muajve të fundit janë kryer 5 kurse trajnimi kundër terrorizmit”, u shpreh Moses-Ones.
Madje, zyrtarja amerikane tha se Policia shqiptare po ndërton një emër si një nga organizatat më të mira të policinë në Europë.
“Institucionet shqiptare kanë bërë një punë mbresëlënëse gjatë 2 viteve të fundit në ndërtimin e kapaciteteve për të luftuar terrorizmin. Kohët e fundit policia arrestoi një individ të lidhur me terrorizmin. Më lejoni ta mbyll duke falënderuar Ardi Veliun dhe Policinë e Shtetit për luftën kundër terrorizmit. Policia e Shtetit në Shqipëri vazhdon të ndërtojë një emër si një nga organizatat e policisë më të mira në Europë”, deklaroi Leyla Moses-Ones.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.