Bota

SHBA, polici që vrau afro-amerikanin George Floyd plagoset rëndë me thikë në burg

Gazeta Si - Derek Chauvin, polici i dënuar për vdekjen e George Floyd, u godit me thikë në burg dhe ndodhet në një spital në gjendje të rëndë.

Oficeri po vuan 22 vjet burg për rastin e afrikano-amerikanit, i cili vdiq nga asfiksia gjatë arrestimit në Mineapolis në maj 2020.

Floyd më vonë u bë simbol i protestës së komunitetit afrikano-amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas gjykatës, Chauvin vendosi gjurin e tij pas qafës dhe shpinës së 46-vjeçarit, ndërsa ai ka qenë i prangosur dhe i shtrirë me bark për më shumë se nëntë minuta, duke i shkaktuar vdekjen.

Drejtuesit e burgut nuk dhanë detaje mbi dinamikën e goditjes me thikë të Chauvin, duke thënë vetëm se kishin neutralizuar sulmuesin dhe kishin shpëtuar ish-policin, gjendja e të cilit, megjithatë, u shfaq menjëherë shumë e rëndë.

Asnjë punonjës i IEVP-së nuk është lënduar. Vizitat në objektin, ku strehohen rreth 380 të burgosur, janë pezulluar.

Chauvin u transferua në Arizona në gusht 2020. Në Minesota ai u mbajt në izolim për arsye sigurie, pas përfshirjes së tij në atë që, në vitin 2020, ishte një rast që ndezi zemërim në mesin e miliona amerikanëve dhe demonstrata protestash, në emër të Lëvizjes për të Drejtat e Njerëzve me ngjyrë.

Institucioni Korrektues Federal në Tucson, ku Chauvin ishte i burgosur, është një burg i sigurisë së mesme.

Ish-oficeri 47-vjeçar u transferua nga një burg shtetëror i sigurisë maksimale, në Minesota në gusht 2022 për të vuajtur njëkohësisht një dënim federal 21-vjeçar për shkeljen e të drejtave civile të Floyd-it dhe një dënim shtetëror 22 e gjysmë vjet për vrasje të shkallës së dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë