Ne rrjet

SHBA parashikon mbi 130 mijë viktima deri në gusht

Zyrtarët amerikanë kanë rritur përsëri bilancin e personave që parashikohet të humbin jetën si pasojë e koronavirusit, për shkak të lehtësimit të masave.

Modeli nga Instituti për Metrikat Shëndetësore parashikon se më shumë se 137,000 amerikanë do të humbin jetën deri në fillim të Gushtit.

“Bilanci është rritur sërish për shkak të rritjes së lëvizshmërisë, si pasojë e lehtësimit të masave”,tha drejtori i studimit Christopher Murray në një njoftim, duke shtuar se në disa shtete amerikane tendenca rritëse e lëvizjes filloi para se të hapej ekonomia në mbarë vendin.

“Derisa të kemi një rritje të ndjeshme të numrit të testimeve, gjurmimin e kontaktave, izolimin e njerëzve dhe përdorimin e përhapur të maskave në publik, ekziston shumë mundësi të shohim një rritje të rasteve të reja," tha Murray.

Shtetet amerikane vendosën për lehtësimin e masave të izolimit në fund të prillit.

Presidenti Donald Trump deklaroi të martën se ka ardhur koha për të rihapur ekonominë e vendit, edhe nëse kjo do të thotë se më shumë njerëz do të bien viktima të koronavirusit.

"Njerëzit e vendit tonë janë luftëtarë," u tha presidenti gazetarëve në shtetin e Arizonës. "A do të preken shumë disa njerëz? Po. Por ne duhet ta hapim vendin tonë."

Presidenti Trump deklaroi në një intervistë për ABC Neës "do të ketë më shumë vdekje" dhe parashikoi se koronavirusi "do të kalojë, me ose pa një vaksinë".

Një projekt-raport i qeverisë tregon se rastet e koronavirusit do të rriten në rreth 200,000 në ditë deri më 1 qershor me rreth 3,000 vdekje në ditë. Trump ka thënë se pret që numri i vdekjeve nga pandemia të shkojë mbi 100,000 njerëz.

Zyrtarët e shëndetit publik po paralajmërojnë se hapjet e parakohshme të bizneseve dhe masat relaksuese të distancimit shoqëror mund të shkaktojnë rritje të infeksioneve, madje edhe në komunitetet që deri më tani kanë qenë relativisht të paprekura nga koronavirusi, për të cilin nuk ka vaksinë.

"Sa vdekje dhe sa vuajtje jemi të gatshëm të pranojmë për t'iu rikthyer asaj që dëshirojmë të jetë një formë e normalitetit më shpejt sesa më vonë," tha Dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në CNN. "Sa më shpejt të rihapemi, aq më e ulët do të jetë kostoja ekonomike, por më e lartë do të jetë kostoja njerëzore sepse do të ketë më shumë jetë të humbura", tha ai të martën. "Ky, miqtë e mi, është vendimi që po marrim në të vërtetë. Cili është ai ekuilibër? Cili është shkëmbimi?"

Më shumë se 1.3 milion njerëz në Shtetet e Bashkuara konfirmohet se janë infektuar nga koronavirusi me më shumë se 80,000 vdekje të raportuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë