Politike

SHBA, mesazh politikës për bashkëpunim: Koha është tani!


E Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Leyla Moses-Ones i ka bërë apel aktorëve politikë shqiptarë të bëhen bashkë, të ulen të gjejnë gjuhën e dialogut dhe të finalizojnë reformën zgjedhore. Disa ditës pas protestës së 13 prillit, Moses-Ones ka zgjedhur një takim për sensibilizimin e punësimit të grave të prekura nga kanceri i gjirit për të lëshuar një apel për politikën shqiptare.
“Liderët shqiptarë duhet të punojnë bashkë për të përmirësuar situatën për gratë në Shqipëri, veçanërisht atyre me kancer gjiri. Shpresoj që kjo do të jetë një fushatë e përbashkët ku drejtuesit politikë të Shqipërisë të mblidhen së bashku për ta çuar vendin përpara. Koha është tani dhe mundësia është këtu. Udhëheqësit duhet të punojnë bashkë për të dhënë shembull për shqiptarët, ndoshta edhe reformën zgjedhore. Të gjitha këto janë të mundura me bashkim. Gratë drejtuese shqiptare duhet të punojnë bashkë për të dhënë shembull të shkëlqyer për qytetarët tuaj. Të gjitha këto janë të mundshme me drejtues të mirë në krye”, deklaroi Moses-Ones.

Zyrtarja e lartë amerikane u përlot gjatë fjalimit ku tregoi një histori prekëse që ka përjetuar familja e saj. “E di personalisht që kanceri i gjirit na prek të gjithëve, pavarësisht se kush jemi apo nga vijmë. Partitë politike? Të parëndësishme! Pasuria? Të parëndësishme! Ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike dhe zemërthyese për familjen. Diplomatët janë qenie njerëzore. Do doja të ndaja diçka thellësisht personale. 12 vjet më parë në këtë muaj humba nënën time për shkak të kancerit. Ne e dimë se diagnoza e kancerit është tragjike për familjen, asnjë punëdhënës nuk duhet të ndëshkojë gratë që luftojnë më ketë sëmundje të tmerrshme”, rrëfeu zv.ambasadorja.


Në këtë takim i pranishëm ishte edhe ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca, i cili theksoi se janë rreth 7700 raste të reja në vit, shifra këto të konfirmuara nga OBSH-ja.
“Në fakt kanceri i gjirit është kanceri më i përhapur në BE. Sipas të dhënave të BE, gjasat që një femër të preket nga kanceri është 1-8 gra. Ndërkohë në Shqipëri janë rastet e reja janë 7700 në vit. Kjo e rendit Shqipërinë në vendin e 88-të. Këto siç e thashë janë shifra të OBSH dhe këto shifrat janë shumë të rëndësishme për të kuptuar fenomenin. Ne ju bëjmë thirrje palëve të lexojnë këto rekomandime dhe t’i bëjnë pjesë të punës së tyre. Gjashtë viteve të fundit BE-ja ka investuar shumë në tregun e punës, por ka ndihmuar edhe grupet vulnerabël, siç janë edhe gratë e prekura nga kanceri. Ne po përgatisim një program të ri, që do të fokusohet në këto çështje. Unë kam angazhim personal, që ky program të shkojë përpara sa më shpejt të jetë e mundur. Me kënaqësi konstatoj se kemi këtu persona të ndryshëm nga shoqëria”, tha Soreca.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë