Treg

SHBA: Ky çmim godet menjëherë Putinin. Si arrin nafta ruse në Serbi

Çmimi i ri tavan ndaj naftës ruse do të “ndërprisë menjëherë burimin më të rëndësishëm të të ardhurave [të presidentit rus, Vladimir] Putin”, thanë Shtetet e Bashkuara.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen, tha se çmimi tavan – që u miratua zyrtarisht nga aleatët perëndimorë të premten – erdhi pas disa muajsh punë.

Kjo masë ndalon shtetet që të paguajnë më shumë se 60 dollarë për një fuçi për eksportet e naftës së papërpunuar ruse, që transportohet përmes detit.

Vendimi pritet të hyjë në fuqi më 5 dhjetor, apo edhe më herët.

Shtetet me të ardhura të ulëta dhe të mesme janë prekur shumë nga çmimet e larta të energjisë dhe ushqimit, dhe ato do të përfitojnë më së shumti nga çmimi tavan, tha Yellen.

Ajo tha se kjo masë do të kufizojë edhe më tej financat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe “do të kufizojë të ardhurat që përdor për të financuar pushtimin e tij brutal”, ndërkaq po ashtu do të shmangë ndërprerjen e furnizimeve globale që mund të çojnë në rritjen e çmimeve të naftës në mbarë botën.

“Me ekonominë e Rusisë që veçse është tkurrur, çmimi tavan menjëherë do të ndërpresë burimin kryesor të të ardhurave të Putinit”, tha Yellen përmes një deklarate.

Çmimi tavan u prezantua në shtator nga shtetet e G7-s (SHBA-ja, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Bashkimi Evropian) në përpjekje për të goditur aftësinë e Rusisë që të financojë luftën e saj kundër Ukrainës.

Të premten, Bashkimi Evropian miratoi çmimin tavan – që kërkonte miratimin e të gjitha shteteve anëtare – pasi bindi Poloninë që të mbështeste këtë masë.

Si arrin nafta ruse në Serbi?

Serbia e merr naftën nëpërmjet tubacionit JANAF nga Kroacia. Aktualisht, është e vetmja rrugë në dispozicion.

Polonia njoftoi se do të mbështeste masën pasi u sigurua se çmimi tavan do të mbetet 5 për qind më ulët sesa niveli në tregje.

Është raportuar se BE-ja dëshironte të vendoste çmim tavan prej 65-70 dollarësh, por ky propozim u refuzua nga Polonia, Lituania dhe Estonia, që argumentuan se ishte një çmim i lartë.

Rusia ka dënuar këtë masë, teksa ka paralajmëruar se nuk do të furnizojë me naftë ato shtete që do ta aplikojmë çmimin tavan.

Para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës në fund të shkurtit, mbi gjysma e eksporteve të naftës në Evropë vinte nga Moska. Gjermania ishte importuesja kryesore, pasuar nga Holanda dhe Polonia.

Por, që nga nisja e luftës, shtetet e BE-së kanë tentuar që të ulin varësinë e tyre nga energjia ruse. Ndërkaq, SHBA-ja veçse ka ndaluar naftën e papërpunuar ruse./REL


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë