Politike

SHBA kundër Metës? Duan të vrasin reformën në drejtësi, pas shpine

Dy ditë radhazi ishte në zyrën e kryeministrit Edi Rama. Do të duhej të takonte edhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta. U prit nga këshilltarët e tij. Meta ishte në një tjetër takim me Lulzim Bashën dhe aleatët dhe më pas një takim më të zgjeruar me ambasadorët e vendeve të BE-së, në Tiranë.

Dhe në pamundësi për t’ia thënë edhe përballë, zgjodhi t’ia thoshte presidentit, politikës dhe shqiptarëve në “Twitter”.

Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, nuk kishte folur aq shkoqur dhe hapur në një postim të sajin në “Twitter” për “thashethemet” që po gëlojnë mbi paktet e mundshme, që fshihen pas prishjes së Teatrit.

Gjatë paradites kryetari i shtetit thirri partitë e opozitës jashtëparlamentare, të cilëve u paraqiti një pakt me 11 pika. Ajo që dallon në listën e këtyre pikave është ngritja e një Këshilli Politik për reformën në drejtësi me të njëjtën peshë politike siç është edhe ai i ngritur për reformën zgjedhore. Burime nga takimi i thanë gazetës “Si” se presidenti u propozoi ngritjen e një Këshilli Politik, në nivele të larta përfaqësimi, që kryesisht duhet të trajtojë  probleme të reformës në drejtësi dhe të ndikojë në përshpejtimin e zbatimit të saj. Ndërsa, Fatmir Mediu i Partisë Republikane shkoi edhe më tej, duke thënë se bëhet fjalë për një bashkëpunim politik të nevojshëm mes palëve për të bërë amendime sa i përket reformës në drejtësi, që të kalojnë fillimisht përmes këtij Këshilli Politik para se të miratohen në Kuvend.

Një propozim që do të thotë ndryshim të gjithë asaj reforme të miratuar me vota unanime në korrik të vitit 2016, të shtyrë me forcë pikërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian.

Kaq ka mjaftuar që Yuri Kim të flasë për marrëveshje pas shpine dhe vrasje të reformës, pa doreza dhe duke drejtuar gishtin, nga sa u mësua pasi u lidhën shumë interpretime më vonë, te presidenti dhe tryeza e tij.

“Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta. Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë & joperfekte, por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë…”, shkruan Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim.

Edi Rama ka shpejtuar të tregojë se deklaratat e zonjës Kim nuk i adresoheshin atij. Ai ka zgjedhur që të mbështesë ambasadoren po përmes “Twitter” duke zgjedhur sërish Shekspirin, sikundër paradite kur ironizonte Bashën dhe Kryemadhin në fjalimin në Parlament.

Dakord me ambasadoren shkruan Rama. “Ferri është bosh dhe gjithë djajtë janë këtu”, citon kryeministri shekspirian.

Pak minuta më vonë do të fliste edhe Lulzim Basha. Edhe ai në “Twitter”. Kryetari i Partisë Demokratike ka siguruar ambasadoren amerikane duke shkruar: “Çdo ndryshim kushtetues dhe ligjor në lidhje me reformën në drejtësi nga ky parlament është ilegjitim.

Ndryshime të tilla u shërbejnë vetëm atyre që e përdorin pushtetin për të devijuar dhe për të minuar reformën, për të kontrolluar politikisht dhe për të kapur sistemin e drejtësisë”.

I fundit, përsëri në “Twitter” ishte ambasadori i Bashkimit Europian, që me postimin e tij duket sikur dëshironte t’i jepte fund çdo debati mbi këtë çështje. “Implementimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe duhet të ruhet. Kjo nuk është koha kur duhet të rihapim debatin mbi themelet, por duhet të forcojmë mbështetjen për zbatimin e saj”, do të shkruante edhe Soreca.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ishte i vetmi që nuk reagoi për postimin e ambasadores amerikane siç nxituan të bëjnë Rama dhe Basha.

Ai njoftoi se do të jetë në një emision televiziv për të folur “sy për sy” e “dhëmb për dhëmb”… për Kushtetutën.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji

Më Shumë