Politike

Prapaskenat e PD-PS/ Nuk është në lojë sistemi zgjedhor, por… “Rama”

Ka një përpjekje jo publike, nga ana e Ambasadës Amerikane në Tiranë për t’i sugjeruar klasës politike shqiptare ndryshimin e sistemit zgjedhor, në atë danez. Për ndryshim të sistemit folën të enjten në kor disa përfaqësues të opozitës parlamentare. 

Lulzim Basha u ngacmua nga media të mërkurën për këtë çështje, duke dhënë edhe ai përgjigjet e tij, që nuk ishin të ngjashme me atë model (danez) që ambasadorja amerikane Yuri Kim ka propozuar (jo zyrtarisht) përmes një emaili në tryezën e Këshillit Politik.

Pyetja e parë që shtrohet është; A e kanë marrë seriozisht dy partitë e mëdha këtë propozim, më shumë akoma a kanë vullnet për ndryshimin e sistemit, qoftë ai danez apo një emër tjetër? Burime zyrtare nga dy partitë e mëdha thanë për Gazetën “Si” se as PS e as PD nuk po gëlojnë në bisedime për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Ky do të jetë një debat për një kohë tjetër. Por jo për konfliktin e sotëm. Është thënë publikisht (kryesisht nga opozita) se nuk janë në dijeni të propozimit të ambasadores amerikane Yuri Kim për ndryshimin e sistemit. Dashamir Shehi është një prej tyre që e përforëcoi këtë qëndrim pas takimit me Presidentin Ilir Meta.

Edhe Basha të mërkurën dha të njëjtën përgjigje: “Nuk kam parë asnjë propozim amerikan për sistemin zgjedhor”

Në fakt e kundërta ka ndodhur në biseda jo formale jashtë vëmendjes së medias. Burime të sigurta i thanë gazetës “Si” se sistemi danez  është diskutuar edhe është përjashtuar (të paktën deri tani) me argumentin se për zbatimin e tij fillimisht duhet ndryshuar struktura në vend. “Nëse duhet të marrim në konsideratë sistemin danez atëherë duhen bërë ndryshime strukturore në organizimin e Shqipërisë…”, tha një burim nga PD, për gazetën “Si”

Ka një afat për përfundimin e reformës zgjedhore (fund maji). Dhe diskutimi për sistemin do t’i orientonte  palët në një negociatë të gjatë, për të cilën sot asnjë prej dy partive të mëdha PD e PS nuk janë në predispozitat e vitit 2008 (kur u diskutua sistemi spanjoll) për ta ndryshuar atë.

Edhe bashkëkryetari për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri nuk e nominoi sistemin danez. Foli në përgjithësi për disa sisteme, dhe doli në përfundimin se nuk është koha për një gjë të tillë.

“Po të hapim lojën e sistemit në ato mënyra që themi ne do të shpërbëjmë Kushtetutën e Shqipërisë sepse kur ndryshohet sistemi zgjedhor, nuk ndryshohet vetëm mënyra se si përkthehen votat në mandate, por ndryshohet edhe raporti që ka qeveria me Kuvendin, ndryshon edhe raporti që ka Presidenti me Kuvendin madje edhe organet e drejtësisë sepse kemi të bëjmë me një kompozim krejt të ndryshëm. Po hapëm lojën e sistemit nuk mund ta zgjidhim dot tani. Bëhet fjalë për themelet e Republikës sonë”, tha Gjiknuri. Sipas tij, nuk është sistemi lista e dëshirave, por janë themelet e Republikës… 

Problemi për dy partitë e mëdha është gjetkë. Për PS-në është fakti se si të maksimalizojë votën në favor të saj në zgjedhjet e ardhshme,  ndërsa për PD-në janë problem garancitë që ajo kërkon për tu futur në zgjedhje e sigurtë…

…Dhe ja ku vijmë tek debati i dytë, se çfarë po luhet për zgjedhjet nën rrogoz. Ndryshe nga sa duket në publik, dy partitë e mëdha po vijojnë negociatat për zgjedhjet. Po kërkohen madje edhe disa kompromise për të lëshuar “pe” secila nga palët kryesisht për depolitizimin e administratës zgjedhore, financimin e partive, futjen e votimit biometrik në zgjedhje, KQZ, apo edhe Kolegji Zgjedhor... Të  gjitha variantet janë të hapura dhe asnjë prej tyre nuk është përjashtuar apriori.

Ajo që PD po këmbëngul së fundmi më shumë sesa zgjidhja e disa çështjeve të mbartura nga jashtë (dhe jo problem i vetë  Kodit) janë garancitë nga Edi Rama. Me prishjen e Teatrit, PD-ja ka hedhur sërish në lojë  debatin e vjetër, atë të krijimit të një qeverie tranzitore, apo një forme të ngjashme rreth kësaj ideje, para zgjedhjeve.

E prekën të mërkurën edhe aleatët e PD-së (Shehi dhe Ndoka), ndërsa vetë Basha ka dhënë një qëndrim të përgjithshëm se opozita nuk mund të bëhet fasadë në reformën zgjedhore

Këtu nuk është debati as për zgjedhje të parakohshme, (edhe pse opozita luan publikisht me këtë kartë). Se fundja, zgjedhjet e afërme janë ato të 2021-it. Për opozitën kanë rëndësi garancitë që ajo duhet të marrë. Dhe për këto  po luhet sot në tryezën e bisedimeve. Ajo që po ndodh në publik është thjesht metoda e vjetër e presionit se deri ku mund të lëshojë secila nga palët në takimet informale.

Opozita do të vijojë të mbështesë protestat e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe çdo lloj forme proteste, që do të vijë nga qytetarët, por vëmendja e saj kryesore do të jetë tek  zgjedhjet. Dhe kur vjen fjala për zgjedhjet, për PD-në ka rëndësi vetë Rama. “Për ne nuk është problem sistemi, por Edi Rama”, i tha një burim zyrtar i PD-së, gazetës “Si”.

Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë