Bota

SHBA-Iran, marrëveshje për shkëmbimin e 5 të burgosurve. Zhbllokohen 6 mld $ fonde

Gazeta Si - Administrata Biden ka dhënë dritën jeshile për zhbllokimin e 6 miliardë dollarëve fonde iraniane, të ngrira në banka të ndryshme, në këmbim të lirimit të pesë shtetasve amerikanë të ndaluar në Iran.

Kështu bëjnë të ditur burime të gazetës “Washington Post” të njohura me marrëveshjen e arritur mes Shtëpisë së Bardhë dhe Teheranit. Vendimi, i cili u raportua fillimisht nga agjencia e lajmeve “Associated Press”, iu njoftua Kongresit.

Sekretari i Shtetit Antony Blinken nënshkroi një përjashtim nga sanksionet për transferimin e fondeve në Iran.

Në mesin e të arrestuarve amerikanë në Iran është Siamak Namazi, një biznesmen iraniano-amerikan, i cili ka qëndruar pas hekurave në një burg të Teheranit për gati tetë vjet, periudha më e gjatë e paraburgimit të një shtetasi amerikan në Iran.

Emra të tjerë përfshijnë, Morad Tahbaz, gjithashtu një sipërmarrës, i cili është me kombësi britanike dhe ai i Emad Shargit.

Të burgosurit u liruan të gjithë muajin e kaluar nga burgu Evin i Teheranit dhe u vendosën në “arrest shtëpiak”, si hapi i parë drejt finalizimit të marrëveshjes iraniano-amerikane.

Për shkak të sanksioneve të shumta amerikane ndaj bankave të huaja që angazhohen në transaksione që synojnë përfitimin e Iranit, disa vende evropiane ishin shprehur kundër pjesmarrjes në transferimin e parave. Por masa e nënshkuar nga zoti Blinken synon të lehtësojë shqetësimet e tyre lidhur me sanksionet amerikane.

Individë me njohuri mbi negociatat thanë se presin që të arrestuarit të lirohen javën e ardhshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë