Bota

SHBA: Grupi Wagner nuk ka më rol të madh në luftën në Ukrainë

Gazeta Si - Grupi mercenar Wagner nuk është më “pjesëmarrës në ndonjë kapacitet të rëndësishëm në mbështetjen e operacioneve luftarake në Ukrainë”, ka thënë një zëdhënës i Pentagonit.

Kjo deklaratë vjen disa javë pas rebelimit 24-orësh të grupit mercenar në Rusi, që sfidoi autoritetin e presidentit rus, Vladimir Putinit.

“Në këtë fazë, ne nuk shohim që forcat Wagner po marrin pjesë në ndonjë kapacitet të rëndësishëm në mbështetje të operacioneve luftarake në Ukrainë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder.

Wagner besohet se e kishte ndihmuar Rusinë ta aneksojë Krimenë në vitin 2014 dhe ka luftuar në disa nga betejat më të përgjakshme së fundi.

Ky grup luajti rol të rëndësishëm në kapjen e qytetit në lindje të Ukrainës, Bahmutit, për Rusinë.

Sipas marrëveshjes që i dha fund rebelimit të qershorit, luftëtarëve të Wagnerit iu tha se mund të bashkohen me ushtrinë e rregullt ruse ose të shkojnë në Bjellorusi me shefin e tyre, Yevgeny Prigozhinin.

Por, në fillim të kësaj jave, Kremlini tha se Putin ishte takuar me Prigozhinin në Moskë vetëm disa ditë pas kryengritjes.

Putin këmbëngul se, gjatë atij takimi, ua bëri të qartë ofertën e tij luftëtarëve të Wagnerit.

Duke folur për të përditshmen ruse Kommersant më 13 korrik, ai tha se ata e kishin mundësinë të “vazhdonin shërbimin e tyre” për ushtrinë e rregullt ruse.

“Ata do të ishin udhëhequr nga personi që ka qenë komandanti i tyre i vërtetë gjatë gjithë kësaj kohe”, shtoi Putin, duke iu referuar vetes.

Ai theksoi gjithashtu se nuk kishte kornizë ligjore për organizatat private ushtarake, duke thënë se “Wagner nuk ekziston”.

Më 13 korrik, presidenti i SHBA-së, Joe Biden, tha në një konferencë shtypi në Finlandë se Prighozini duhet të ketë kujdes nga një helmim potencial pas rebelimit.

“Vetëm Zoti e di se çfarë mund të bëjë ai. Ne nuk jemi as të sigurt se ku është dhe çfarë marrëdhëniesh ka [me Putinin]. Po të isha ai, do të kisha kujdes se çfarë ha. Do të mbaja sytë në menynë time”, tha Biden.

Duke folur pas një samiti me liderët nordikë në Helsinki, ai tha gjithashtu se nuk kishte asnjë mundësi që Putini të fitonte luftën në Ukrainë.

“Ai tashmë e ka humbur atë luftë”, tha presidenti amerikan./REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë