Bota

SHBA godet baza të Hezbollahut të mbështetura nga Irani, një i vdekur dhe 24 të plagosur

Gazeta Si - Shtetet e Bashkuara goditën tre baza të përdorura nga Hezbollahu dhe forcat e tjera të mbështetura nga Irani në Irak, në përgjigje të një sulmi disa orë më parë ndaj personelit amerikan në Erbil.

Presidenti Joe Biden, ka urdhëruar ushtrinë amerikane që të kryejë sulme hakmarrëse ajrore kundër grupeve të milicive që mbështeten nga Irani, pasi tre ushtarë amerikanë u plagosën në një sulm me dron në veri të Irakut.

Zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Adrienne Watson, tha se një nga ushtarët ka pësuar lëndime kritike gjatë sulmit që ndodhi të hënën, më 25 dhjetor.

Milicia Kataib Hezbollah, që mbështetet nga Irani, dhe grupe të lidhura me të që janë pjesë e ombrellës së militantëve të mbështetur nga Teherani, morën përgjegjësinë për sulmin me dron.

Sipas burimeve të sigurisë irakiane, pas sulmit, bilanci është një i vdekur dhe 24 të plagosur. “Ushtria kreu sulme të nevojshme dhe proporcionale kundër tre objekteve të përdorura nga Hezbollahu dhe grupet e lidhura në Irak”, tha në një deklaratë Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

Biden, i cili po kalon Krishtlindjen në Kamp David në Marilend, u njoftua për sulmin nga këshilltari për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan.

Pak pas sulmit të së hënës, presidenti amerikan urdhëroi Pentagonin dhe këshilltarët e tjerë të sigurisë kombëtare që të përgatisin opsione për përgjigje ndaj sulmit në një bazë ajrore që përdoret nga trupat amerikane në Erbil.

Biden vendosi që ushtria amerikane të sulmonte tri lokacione të përdorura nga Kataib Hezbollah dhe grupet e lidhura me të, tha një zyrtar që është në dijeni për çështjen, por i cili foli në kushte anonimiteti, raporton AP.

Sulmet ajrore amerikane u kryen në orën 04:45 të martën në Irak, më pas se 13 orë pas sulmit ndaj personelit amerikan. Sipas Komandës Qendrore amerikane, sulmet hakmarrëse në tri lokacione “shkatërruan ndërtesat e shënjestruara dhe ka të ngjarë që kanë vrarë një numër të militantëve të Kataib Hezbollahut”.

“Presidenti vendosi prioritet mbrojtjen e personelit amerikan”, tha zëdhënësja Watson. “SHBA-ja do të veprojë me kohë dhe mënyrën që zgjedh nëse sulme të tilla vazhdojnë”.

Sulmi i fundit vjen pas muajsh të përshkallëzimit të kërcënimeve dhe veprimeve ndaj trupave amerikane në rajon, që kur Hamasi – grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – kreu sulme në Izrael më 7 tetor, duke nxitur luftën shkatërruese në Gazë.

Që nga 7 tetori, milicitë e mbështetura nga Irani, kanë kryer dhjetëra sulme ndaj bazave amerikane në Irak dhe Siri.

SHBA-ja po ashtu ka fajësuar Iranin, që financon dhe trajnon Hamasin, për sulmet e rebelëve Huthi të Jemenit kundër anijeve komerciale dhe ushtarake në Detin e Kuq. /REL/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë