Treg

SHBA është prodhuesja më e madhe e naftës në botë, por pse vazhdon të blejë naftën ruse?

Prej disa vitesh, SHBA është prodhuesi kryesor i naftës në botë, falë avancimit të teknologjisë dhe nxjerres së ‘arit të zi’ nga thellësitë përmes metodës së presionit. Por, pavarësisht kësaj SHBA ende importon miliona fuçi naftë në ditë nga vendet e tjera të botës, përfshirë këtu Rusinë.

Kur shpërtheu pushtimi rus në Ukrainë, disa në Kongres i kërkuan administratës së Presidentit Biden që të ndalonte menjëherë importin e naftës ruse dhe në bllokimin dhe sekuestrimin e anijeve dhe tankeve të naftës.

Por, sa naftë importon SHBA nga Rusia dhe pse?

Pavarësisht rritjes së prodhimit vendas, ekonomia amerikane ende vazhdon të konsumojë më shumë karburant se sa mund të nxjerrin kompanitë. Kjo do të thotë se diferenca importohet nga vende te tjera të botës. Megjithatë, SHBA ka më pak varësi se Europa kur bëhet fjalë për naftën dhe gazin rus dhe importon prej andej vetëm një pjesë të vogël të nevojave të brendshme të tregut.

Sasitë më të mëdha importohen nga Kanadaja, Meksika, Arabia Saudite dhe vende të tjera më të vogla, në Amerikën Latine dhe Afrikën Perëndimore. Në 2021, vetëm 8 për qind e të gjitha sasisë së naftës së importuar nga SHBA ishte me prejardhje nga Rusia. Shifra është rreth 672 mijë fuçi në ditë.

Në mes të 2021, importi i naftës ruse regjistroi nivelet më të larta në një dekadë dhe ka pasur trend rritës vitet e fundit. Por, sërish varësia amerikane nga nafta ruse mbetet e vogël.

Nëse SHBA eksporton miliona fuçi në ditë nga Gjiri i Meksikës, pse importon nga Rusia?

Një ligj i miratuar një shekull më parë kufizon madhësinë e anijeve që transportojnë mallra mes porteve amerikane. Kjo do të thotë se brigjet perëndimore, ku prodhohet pjesa më e madhe e naftës amerikane kanë kosto të larta për ta transportuar atë në brigjet dhe shtetet lindore të vendit.

Gjiri i Meksikës, ku kompanitë e naftës eksportuan rreth 3 mln fuçi në ditë përgjatë muajit dhjetor, lidhet me rafinerinë kryesore të Oklahomës me tubacion dhe me Teksasin. Kjo do të thotë se për të çuar naftën në Perëndim të vendit, e vetmja rrugë është transporti përmes anijeve. Por, kufizimi i madhësisë së anijeve të transportit e bën të paleverdisshme për kompanitë e naftës që ta transportojnë atë në lindje. Kjo është arsyeja se pse kompanitë që operojnë në lindje e importojnë atë gjetkë.

Kjo është njëra arsye. Arsyeja tjetër është se rafineritë amerikane e marrin naftën ruse bruto për shkak të përqindjes së lartë të sulfurit. Në të shkuarën ky produkt sigurohej nga Venezuela dhe Irani. Por, këto dy burime u bllokuan për shkak të sanksioneve.

Gjysma e naftës së importuar nga Rusia përfundon në shtetet perëndimore amerikane, ku rafineritë vendase nuk janë të lidhura me tubacion me fushat e prodhimit të naftës në Teksas dhe Oklahoma. Rreth një e katërta e naftës përfundon në shtetet perëndimore në veri të SHBA, edhe këto ta palidhura me tubacion me fushat e prodhimit të naftës vendase, ndërsa pjesa tjetër përdoret për të ushqyer rafineritë që kërkojnë përpunimin e naftës bruto me përqindje të lartë squfuri.

Këtyre arsyeve u shtohet edhe rreziku që bllokimi i menjëhershëm i importit të naftës ruse nga ana e SHBA mund të interpretohet nga tregjet si një tjetër goditje për zinxhirin e furnizimit global dhe çmimet të pësonin një tjetër rritje. Edhe me sanksionet e vendosura, nafta në SHBA pësoi rrijte, duke shkuar në mbi 110 dollarë për fuçi të mërkurën, pasi disa kompani refuzuan që të blejnë naftën ruse për shkak të frikës se mund të goditen nga sanksionet.

Burimi Wall Street Journal. Përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë