Politike

SHBA: E njohim presionin që përballet KLP, do të mbrojmë prokurorët e SPAK

Një ditë pas dështimit të mbledhjes së KLP-së, ku pati debate mes anëtarëve dhe kreut të këtij të institucioni në lidhje me ngritjen e SPAK, ka mbërritur në Tiranë zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA, Jorgan K. Andrews. Takimin e parë ai e pati pikërisht me kreun e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi.

“Jemi të ndërgjegjshëm për presionin me të cilin përballet KLP dhe jemi të vendosur t'ju ofrojmë mbështetjen tonë për mbrojtjen e prokurorëve të SPAK”, është shprehur zyrtari amerikan, ndërsa konfirmoi se SHBA do të vazhdojë të mbështesë zbatimin e reformës në drejtësi në Shqipëri.

Ndërsa mbledhja e djeshme u shty për shkak të prokurorit Besnik Cani, ish-këshilltar i kryeprokurores Arta Marku me argumentin se nuk kishte marrë në kohë projekt-aktet që duhet të diskutoheshin në këtë mbledhje, Ibrahimi shprehet se Këshilli është në hapat e fundit për dy procese të rëndësishme: zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm dhe ngritja e SPAK.
“Këshilli është në hapat e fundit për dy procese të rëndësishme: zgjedhja e prokurorit të përgjithshëm dhe ngritja e SPAK”, tha  Ibrahimi.
Duke pasur parasysh seancat plenare që dështojnë në KLP kur në tryezë diskutohen çështje që lidhen me këto dy tema, zv. Ndihmës Sekretari i Shtetit, tha se “Keni ngritur një baze ligjore të fortë për institucionet e reja të drejtësisë, e afte që të mbaje larg korrupsionin dhe presionin e politikës mbi këto struktura”, ndërkohë që ka theksuar se “Duhet ndryshuar mentaliteti për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në vend sepse tani do të keni instrumentet e duhura”.
Ibrahimi e ka informuar zyrtarin amerikan se në 10 muaj KLP ka ngritur infrastrukturën ligjore solide për ngritjen e SPAK.

“Këshilli shikon hapësirat ligjore për ngritjen e SPAK me 8 prokurore tashmë të vetuar dhe 2 prokurorë të komanduar nga lista e kandidatëve të kualifikuar për SPAK të cilët kanë kaluar vetingun me vendim të formës së prerë”, tha Ibrahimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë