Rend dhe Ligj

Raporti, KLP s’jep afat për kryeprokurorin dhe SPAK: Prapë me emërime të përkohshme

Në Shqipëri do të vijohet që të operohet me emërime të përkohshme në Prokurori dhe kjo për shkak të procesit të vettingut. Kjo konstatohet nga raporti i Këshillit të Lartë të Prokurorisë që është paraqitur në Parlament mbi veprimtarinë e këtij institucioni që përfshin periudhën nga dhjetori 2018- korrik 2019, ku nuk jepen afate as për ngritjen e SPAK as për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.
Në këtë raport të disponuar nga Gazeta Si, konstatohet se vendimet janë marrë të kushtëzuara nga vendimet e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. “Në rastin e caktimeve të përkohshme, KLP është treguar shume i kujdesshëm në zbatimin e nenit 59, "Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë'', duke e zbatuar këtë dispozite vetëm në ato raste kur caktimi i përkohshëm i një prokurori në cilësinë e Drejtuesit, apo të prokurorit të juridiksionit të përgjithshëm apo në nivel apeli, ka qenë domosdoshmëri”, thuhet në këtë raport. Kështu si pasojë e kësaj situate, 13 vendimet e KLP-së për caktimin e përkohshëm të prokurorit kanë ardhur si rezultat i një vendimmarrje të KPK-së.

Raporti i KLP-së i depozituar në Parlament

KLP, pa afate për SPAK dhe kryeprokurorin

Procesi i Vettingut pritet me një kërshëri të madhe, pasi duhet të ngrihen organet e reja të drejtësisë, ku kryesorja është Prokuroria e Posaçme në luftën kundër korrupsionit, e njohur ndryshe si SPAK. Procesi ka ngecur ende dhe kjo lidhet për faktin se kanë zgjatur procedurat dhe nuk po plotësohen kandidaturat. Për krijimin e SPAK duhet të ketë 15 anëtarë, prokurorë, por që ende nuk janë përzgjedhur nga KLP-ja. Në raport theksohet se për shkak të numrit të ulët të kandidaturave që shprehën interes në thirrjen si dhe me qëllim konkurrencën dhe përzgjedhjen e kandidatëve më të mirë, KLP vendosi të shtyjë afatin e pranimit të aplikimeve për këto pozicione. Me datë 16 korrik, Komisioni miratoi listën me 15 kandidatë për prokuror në Prokurorinë e Posaçme. KLP, është në pritje të vendimeve që do të marrë KPK për rivlerësimin kalimtar të këtyre kandidateve. Aktualisht, 5 kandidatë janë konfirmuar në detyrë edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, 3 kandidatë janë duke pritur që vendimi i konfirmimit në detyrë nga KPK të mos ankimohet dhe të marrë formë të prerë, ndërsa 7 kandidatë të tjerë nuk i janë nënshtruar ende procesit të rivlerësimit kalimtar nga KPK.

Një tjetër çështje është zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, ku KLP-ja njofton në këtë raport Kuvendin mbi procedurën që po ndiqet për vlerësimin e kandidatëve nëpërmjet pikëzimit. Janë përcaktuar katër kandidatë për postin e prokurorit të përgjithshëm, emrat e tyre janë: Arta Marku, kryeprokurorja aktuale e përkohshme, Fatjona Memçaj, Lulzim Alushaj dhe Olsian Çela. Ndërsa procesi ka ngecur për shkak se Alushaj ka ankimuar vendimin për përjashtimin, KLP nuk jep asnjë datë se kur mund të merret vendimi i për renditjen e kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm. Sipas ligjit, mbi bazën e sistemit të pikëzimit, KLP rendit kandidatët dhe më pas listën ia dërgon Parlamentit për të zgjedhur me votim. Në rast se Parlamenti dështon, atëherë në mënyrë automatike fiton kandidati që është renditur i pari nga ana e KLP-së.
Por në raport, pavarësisht vonesave, KLP shprehet se zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm është një procedurë e vështirë, që kërkon jo vetëm kohën e duhur, por njëkohësisht edhe koordinimin me struktura të tjera. “Pavarësisht kësaj, mund të themi se KLP deri më sot, ka zbatuar rigorozisht afatet dhe detyrimet ligjore që i takojnë dhe mund të konsiderojmë se kjo detyrë është realizuar shumë mirë deri në këtë fazë të procedurës”, thuhet në raport.
Gjithashtu nuk jep vlerësim edhe për kohën se kur parashikohet të ngrihet SPAK, edhe pse fillimisht është përfolur se kjo strukturë e posaçme mund të formohet dhe me 10 anëtarë.

KLP kërkon më shumë fonde, ankesë për ambiente e staf

Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkon më shumë fonde, por edhe më tepër staf. Në raport theksohet se kërkesat buxhetore të KLP, për vitin 2020-2022, janë dukshëm më të larta se tavanet buxhetore te parashikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë. Tavanet buxhetore, për vitin 2020, parashikojnë një buxhet në shumën 169 milionë leke dhe një numër prej 65 punonjësish, ndërsa kërkesat buxhetore të KLP-së rezultojnë të jenë rreth 200 milionë lekë ose 18.3 % më të larta, dhe një numër prej 83 punonjësish. “Theksojmë se, përkundër llogaritjeve të bëra nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë mbi bazën e buxhetit të këtij viti, i cili mendojmë se nuk është i vlefshëm për t'u marrë si referencë, kërkesat buxhetore të KLP-së janë rrjedhojë e kostimit të funksioneve të Këshillit, bazuar në ushtrimin e këtyre funksioneve gjatë vitit 2019 dhe të parashikimeve specifike në ligj. Kështu, është parashikuar dhe ka dalë e domosdoshme të shtohen burimet njerëzore, për shkak të fluksit të madh të punës që ka ky institucion, të teknologjisë informacionit, por edhe të stafit mbështetës dhe të shërbimeve të Këshillit, veçanërisht personelit administrativ, për të siguruar mirëfunksionimin dhe të Këshillit”, thuhet në raport.


Rezulton se 70 % e buxhetit për KLP-në, e zënë pagat dhe sigurimet shoqërore. Shpenzimet korente zënë 85 % të buxhetit, përkundrejt 15 % që zënë investimet. Ndërkohë, që sipas KLP-së, nevojat e këtij institucioni kërkojnë burime financiare suplementare për investime, pajisje, teknologji informative, trajnime. Raporti vlerëson se mungesa e ambienteve e ka penguar punën e KLP-së dhe pse godina e "Polit të Lirisë" cilësohet e ngritur me vonesë.

Shifrat/ Nga 29 zyra të Prokurorive të Apeleve dhe pranë Gjykatave të Shkallës së Parë rezultojnë se:

- 10 prokurorë janë të emëruar si drejtues, përkatësisht 6 drejtues pranë Gjykatave të Shkallës të Pare dhe 4 drejtues të Prokurorisë së Apeleve;
- 19 drejtues rezultojnë të caktuar përkohësisht në pozicionin e drejtuesit me urdhër të Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe me vendim te KLP-së.
- Nga këta, 8 drejtues nuk e kanë emërimin pranë prokurorisë ku ushtrojnë detyrën e drejtuesit. Pjesa tjetër e kanë emërimin në prokurorinë pranë së cilës janë caktuar përkohësisht në pozicionin e drejtuesit.
- 32 prokurorë të tjerë janë të caktuar përkohësisht pranë: KLP-se 6 prokurorë; Prokurorisë së Përgjithshme 1 prokuror; Prokurorive të apeleve 3 prokurorë, Prokurorive pranë gjykatave të shkallës së parë 22 prokurorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë