Politike

SHBA: E keni gabim, reforma në drejtësi nuk po dështon, është në rrugën e duhur

Për të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, që nga anëtarësimi në NATO dhjetë vite më parë, Shqipëria kë bërë hapa të mëdhenj. Duke veçuar në radhë të parë reformën në drejtësi, Leyla Moses-Ones deklaroi në një konferencë mbi 70-vjetorin e NATO-s, se vendi yne është në rrugën e duhur drejt krijimit të një sistemi të pavarur drejtësie.

 “Shqipëria është në drejtimin e duhur, pavarësisht se ka ende punë për të bërë. Reforma në Drejtësi është ende në shinat e duhura dhe shumë shpejt do t’iu sjellë shqiptarëve sistemin e ndershëm dhe transparent të drejtësisë që meritojnë. Mesazhi im, për cilindo që thotë se Reforma në Drejtësi është kompromentuar apo po dështon, është: E keni gabim!”, deklaroi Moses-Ones.

Megjtithatë, e ngarkuara e SHBA-e në Tiranë, në mungësë të një ambasadori, theksoi se vendi ynë duhet të bëjë më shumë për çrrënjosjen e korrupsionit dhe luftën ndaj krimit të organizuar, me qëllim përparimin në rrugën drejt Bashkimit Europian.

“Roli i Shqipërisë në NATO rritet së bashku me përgjegjësinë e saj për të bërë përparim të vazhdueshëm në reformat demokratike. Këto reforma janë themelore për vlerat që mbron aleanca dhe janë thelbësore për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Përparimi duhet të vazhdojë për të përmirësuar zbatimin e ligjit, çrrënjosjen e korrupsionit e krimit të organizuar dhe krijimit të një ekonomie të fortë, që është e lirë dhe e barabartë për cilindo”, tha zyrtarja e lartë amerikane.

Moses-Ones përmendi kontributin e Shqipërisë në misionet e NATO-s, duke theksuar edhe ndërtimin e bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të përforcojë bashkëpunimin e vendit tonë me aleancën veri-atlantike.

“Për dhjetë vite, Shqipëria e ka bërë aleancën tonë më të fortë nëpërmjet angazhimit të saj me trupa dhe burime në Afganistan, Kosovë, Bosnje dhe Irak ndërmjet misioneve të tjera. Ajo i kushton 3.9 për qind të forcave të saj ushtarake aktiviteteve të NATO-s, duke u kthyer kështu në kontribuesen e dytë më të madhe të numrit të trupave për frymë në aleancë. Shqipëria do të vijojë ta bëjë aleancën më të fortë nëpërmjet investimit prej 58 milionë dollarësh për modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, e cila do të përforcojë operacionet e furnizimit nga ajri, mbështetjen logjistike, patrullimin ajror, trajnimet dhe stërvitjet. Roli shumë i madh i Shqipërisë në aleancë është shembull për të gjitha vendet aleate”, tha e ngarkuara me punë e SHBA në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë