Politike

SHBA: Basha-Kryemadhi do të jenë përgjegjës për dhunën. Kush prek zgjedhjet nuk merr vizë

Opozita do të protestojë të shtunën para kryeministrisë, duke shënuar kështu protestën e tetë kombëtare. Arma e fortë e saj në këtë protestë janë përgjimet e publikuara nga media gjermane “Bild”, por edhe për faktin se kryedemokrati Lulzim Basha një javë më parë do të deklaronte se fjalët e tij kanë mbaruar dhe se fatet në dorë do t’i marrë sovrani në protestën e 8 qershorit. Por disa orë para kësaj proteste vijnë mesazhet e drejtpërdrejta dhe të forta të shteteve të Bashkuara të Amerikës në adresë të Lulzim Bashës dhe Monika Kryemadhit.


Dhuna e ushtruar në protestën e fundit të 2 qershorit alarmoi faktorin ndërkombëtar, i cili dënoi ashpër aktet e ndodhura përpara Parlamentit. Përsëritja e një skenari të mundshëm më 8 qershor, ku edhe deklarata e një javë më parë e kryedemokratit Basha se nuk do të flasë më dhe se fjala dhe i takon sovranit (popullit) paralajmërojnë që protesta të ketë sërish akte dhune. Këto zhvillime po ndiqen nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Nga protestat e opozitës ku u hodhën bomba molotov në godinën e Kryeministrisë

Në media vizive është lëshuar një mesazh i fortë i zv/ndihmës sekretarit të Shtetit, Matthew Palmer, i cili në një intervistë televizive i ka bërë të qartë liderëve të opozitës se për dhunën e ushtruar në protestat e ardhshme do të jenë personalisht ata përgjegjësit kryesor. “Dua të jem shumë i qartë me Z. Basha, Znj. Kryemadhi dhe të tjerë në partitë e tyre: nëse në protestat e ardhshme ka akte dhune, për ne ata do të jenë përgjegjësit. Ka qenë shumë e qartë në të kaluarën që kur drejtuesit duan që protestat që të jenë paqësore, ato kanë qenë paqësore. Demonstratat e dhunshme po dëmtojnë përpjekjet e Shqipërisë për reforma demokratike si dhe perspektivën e vendit për të ecur përpara në rrugën drejt BE. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët që të bëjnë hapa pas nga konfrontimi dhe të angazhohen në dialog konstruktiv që synon t’i japë fund ngërçit politik”, deklaron Palmer në një intervistë për Top Channel.

Ai thekson se iu është bërë thirrje në mënyrë të përsëritur udhëheqësve të opozitës, sidomos Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi që të dënojnë publikisht aktet e mbështetësve të tyre, të bashkëpunojnë me hetimet që synojnë të identifikojnë autorët individualë dhe vënien e tyre para përgjegjësisë, si dhe të sigurojnë që të gjitha protestat e ardhshme publike të jenë të rregullta dhe paqësore. Dhuna e ushtruar nga protestuesit sipas zyrtarit të DASH është në kundërshtim me synimet e deklaruara të partive opozitare për të pasur një demokraci të fortë europiane.

Palmer gjatë vizitës në Tiranë më 9 prill

Ndërsa përjashton mundësinë e ndërmjetësimit për zgjidhjen e krizës politike, Palmer deklaron: “Kemi ofruar këshillat tona të sinqerta mbi një mënyrë për të dalë nga ngërçi. Megjithatë, ka ardhur koha që udhëheqësit shqiptarë të lënë mënjanë interesat e tyre politike dhe të punojnë për të ardhmen e Shqipërisë. Nuk do ta negociojnë Shtetet e Bashkuara zgjidhjen për ta”.
Parlajmërimi i fortë i zyrtarit të DASH ka ardhur edhe sa i përket qëndrimit të opozitës për të prishur zgjedhjet e 30 qershorit, duke i kujtuar se mund të ndëshkohen duke ia hequr vizat.
“Pengimi i një procesi zgjedhor potencialisht përbën arsye për mos kualifikim për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Nuk mund të flas për hollësitë e ndonjë rasti specifik vize. Megjithatë, do të nënvizoj përkushtimin e SHBA për të përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të mbështetur luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe për të promovuar llogaridhënie, transparencë dhe qeverisje të mirë. Kjo përfshin përdorimin e autoriteteve të caktuara për sanksione për vizat kur të jetë me vend”, theksoi Palmer.

Palmer duke takuar kreun e LSI-së, Monika Kryemadhi


Gjithashtu zyrtari i DASH shprehet se SHBA do t’i monitorojë rreptësisht zgjedhjet lokale të 30 qershorit. “Data e zgjedhjeve është një vendim që e marrin shqiptarët dhe data 30 qershor u vendos nëpërmjet procedurave të përcaktuara të Shqipërisë. Ne kemi në plan të kemi vëzhgues zgjedhjesh nga SHBA edhe si pjesë e misionit të ODIHR edhe si pjesë tonën për të vëzhguar zgjedhjet e 30 qershorit. Kjo është pjesë e punës sonë normale dhe diçka që e kemi bërë në Shqipëri prej vitit 1992. I kemi paralajmëruar drejtuesit e opozitës të mos pengojnë procesin zgjedhor, çka siç e vërejta, mund të përbënte shkak për të mos u kualifikuar për të hyrë në SHBA. Ditën e zgjedhjeve, ekipet tona të ambasadës do të vendosen në qendra votimi për monitorim zgjedhor. Kemi në plan të shqyrtojmë raporitmet për monitorimin zgjedhor të ekipeve tona si dhe ato të ODIHR”, theksoi Palmer.

Palmer gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama


Ai bëri të qartë se SHBA mbështet plotësisht çeljen e negociatave sipas rekomandimeve të bëra nga Komisioni Europian dhe reformën në drejtësi dhe presin që të ngrihet sa më parë SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit. “Është diçka në të cilën Shtetet e Bashkuara kanë investuar shumë përpjekje dhe energji, diçka që e shohim si qendrore për aspiratat e Shqipërisë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Reforma në drejtësi është legjitime, kushtetuese dhe e pakthyeshme. Së shpejti, Presidenti Meta do të ketë shansin të zgjedhë një gjyqtar për Gjykatën Kushtetuese nga një listë avokatësh të kualifikuar. Shqipëria është pranë finalizimit të një sistemi të pavarur drejtësie për të mirën e Shqipërisë dhe qytetarëve shqiptarë. Dhe duhet të qëndrojë në këtë rrugë”, vijoi zyrtari i DASH.
Palmer ishte një nga zyrtarët e lartë të DASH, i cili më 20 shkurt të këtij viti i telefonoi personalisht kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryetares së LSI-së, Monika Kryemadhi duke i kërkuar që të mos i dorëzonin mandatet e deputetëve. Zëri Amerikës bënte të ditur se “i këshilloi” dy kryetarët e partive “kundër dorëheqjeve të koordinuara dhe në masë të deputetëve të opozitës nga parlamenti, pasi kjo do të dëmtonte përpjekjet për reforma dhe do të dëmtonte një institucion të rëndësishëm të demokracisë”. Gjithashtu kërkoi që Basha dhe Kryemadhi të dënonin me forcë dhunën.

Meta dhe Palmer


Zyrtari i lartë i DASH, do të vizitonte Tiranën më 8 dhe 9 prill, në kuadër të një turi Ballkanik. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ai u takua me kryeministri Edi Rama, presidentin Ilir Meta dhe me dy liderët e partive opozitare, Lulzim Basha të PD-së dhe Monika Kryemadhi të LSI-së. Ndonëse vizita nuk kishte mision për të zgjidhur krizën, siç do të shprehej Palmer, ai do të jepte mesazhe të forta për opozitën dhe zgjedhjet.


PD-LSI bëhen gati për protestën
Ndryshe nga herët e tjera, këtë javë nuk ka pasur takime të kryedemokratit Lulzim Basha nëpër rrethe me strukturat e PD-së për të nxitur bazën që të vijnë sa më shumë protestues. Sipas burimeve të Gazeta Si, janë udhëzuar degët e PD-së që të zhvillojnë sa më shumë kontakte me bazën, duke i kërkuar që të jenë sa më shumë të pranishëm përpara Kryeministrisë.
Audiopërgjimet e publikuara nga “Bild” pritet të jenë lajtmotivi i protestës së të shtunës nga opozita. Kryedemokrati Lulzim Basha një ditë më parë bëri thirrje për një pjesëmarrja masive në protestë, duke iu referuar në deklaratën e tij edhe publikimit të fundit të gjermanes “Bild”.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha

“Askush nuk duhet të ketë asnjë iluzion. Askush nuk duhet të gënjejë veten asnjë çast. Edi Rama do të përdorë çdo pushtet, çdo qindarkë, çdo mundësi për të manipuluar zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe këdo. Ata që mendojnë se Edi Rama mund të kufizohet, mund të reformohet apo mund të emancipohet, janë naivë. Edi Rama është i zhytur në krim dhe nuk ka më as fuqinë morale dhe as mendore për të respektuar as standardet më minimale demokratike politike. Edi Rama duhet të ikë. Edhe pas ikjes së tij Shqipërisë do t’i duhen shumë përpjekje për të çrrënjosur modelin kriminal që ka instaluar ai në Shqipëri dhe për të kuruar plagët e korrupsionit. Sytë e botës janë drejtuar nga ne, për të parë sesi ne si vend, si popull i bashkuar rreth vlerave do ta zgjidhim këtë krizë”, u shpreh Basha.
Ndërsa në protestën e sotme pritet të jetë e pranishme kryetarja e LSI-s, Monika Kryemadhi, e cila për shkak të problemeve shëndetësore mungoi në protestën e fundit. Kryemadhi në deklaratat e saj u shpreh hapur duke kërkuar jo përdorimin e dhunës në protestë, pasi kjo e ndihmon Ramën, duke e viktimizuar atë.

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/530324964170643/?t=23


“Bashkimi, pjesëmarrja dhe vendosmëria për ta çuar këtë betejë drejt fitores së sigurt, është investimi më krenar për fëmijët, për të ardhmen e tyre dhe të çdo shqiptari. Të rinj e të reja, studentë dhe profesionistë, pedagogë, artistë, intelektualë, mjekë infermierë dhe mësues, sipërmarrës të ndershëm dhe fermerë, pensionistë dhe të papunë, familjarë, prindër dhe bij e bija të shqiptarëve, mirë se vini sonte në bashkimin popullor dhe qytetar në orën 19:00 në Tiranë. Asnjë hap pas!”, është apeli më i fundit i Bashës nëpërmjet një postimi në Facebook, që shoqërohet me videon, me moton “Shqipëria nuk është pazari i Ramës”.


Paralajmërimi i Ambasadës së SHBA
Për protestën e sotme ambasada amerikane ka udhëzuar shtetasit e saj për të qëndruar larg këtyre grumbullimeve, pasi në precedentët e shkuara nuk kanë munguar aktet e dhunës. Ndërsa thekson se itinerari i protestës nuk është i përcaktuar dhe se përveç zhvendosjes para Parlamentit, ata mund të ndalojnë edhe në godinat e tjera qeveritare.
Si paralajmërim, Ambasada kujton se protestat e fundit të opozitës kanë pasur dhunë. “Forcat e sigurisë kanë përdorur ujin dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë turmat”, vijon njoftimi.

Tela me gjemba përreth Parlamentit, mbi 1600 policë në terren
Policia i ka dhënë lejë opozitës që të protestojë për dy orë, nga ora 19:00-21:00, por ata kanë kërkuar leje që të protestohet deri në mesnatë. Mbi 1600 policë pritet të angazhohen në këtë protestë, duke bërë që të rrethohen me gardh metalik institucionet si Kryeministria, dhe Parlamenti.
Para Ministrisë së Brendshme, por edhe Parlamentit do të vendosen gardhe metalike si edhe kamera me rezolucion të lartë, për fiksimin e atyre që kryejnë akte dhune. Në gatishmëri janë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe autobotet me ujë.

Policia duke rrethuar Parlamentin

Sakaq duke parë që Parlamenti ka qenë vendi ku janë ushtruar shumë akte dhune, policia ka vendosur tela me gjemba në të gjithë perimetrin e rrethimit metalik të këtij institucioni. Po ashtu janë vendosur edhe ndriçues të fortë. Në protestën e 2 qershorit pati 13 të lënduar, 10 policë dhe 3 qytetarë. Ndërsa opozita dhe policia u përplasën me deklarata të forta sa i përket dhunës së ushtruar përpara Parlamentit.

Telat me gjemba kanë rrethuar perimetrin e sigurisë të Parlamentit

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë