Lajme

Shahini komandon rektorin e ri, edhe 4 dekanë kundër Konit

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, pas pezullimit nga detyra të rektorit Mynyr Koni, ku i kërkoi presidentit Ilir Meta shkarkimin e tij, ka komanduar ditën e sotme zëvendësuesin e tij në këtë post.
Ai është Bernard Dosti, aktualisht zëvendësrektor në Universitetin e Tiranës dhe do të mbajë këtë pozicion deri në përfundim të çështjes dhe dhënies së vendimit të formës së prerë nga presidenti Meta.
Shahini deklaroi se ka vendosur t’i kërkojë presidentit Ilir Meta shkarkimin e Rektorit, pasi ai është shkaktar i moszbatimit të Ligjit të Arsimit të Lartë dhe ngërçit të krijuar në Universitetin e Tiranës.
Pezullimi i tij ishte njoftuar më herët edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh gjatë një takimi me studentë dhe pedagogë se Koni nuk ka mbajtur përgjegjësitë që i takojnë në raport me problematikat e studentëve.

Pas pezullimit të rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, u zhvillua edhe një konferencë për mediat me 4 dekanët e fakulteteve në Universitetin e Tiranës. Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule, e cilësoi pezullimin e Konit një zgjidhje të vonuar.

“Situata e zgjidhjes është vonuar shumë. Konstatimet e shkeljes së ligjit janë bërë dhe nga institucione të tjera si KLSH. U desh dhe protesta e studentëve që t’i jepte impakt pozitiv zgjidhjes së këtij problemi”, u shpreh dekani Kule.
Po ashtu dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha e ka cilësuar këtë vendim të drejtë, pasi sipas tij do të ndikojë pozitivisht në punën e UT. Ai shtoi se drejtimi i UT nuk ka zbatuar detyrat dhe janë punësuar njerëz në kundërshtim me ligjin.

“Sot ishte një akt përgjegjësie që u mor dhe një përgjegjësi për ne për të vazhduar veprimtarinë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin. Ky është një veprim që do ta ndihmojë UT, i cili sot nuk ka një sistem të vetin funksional elektronik në shërbim të studentëve dhe pedagogëve dhe atyre që kërkojnë informacion për veprimtarinë e Universitetit për shkak të kontradiktave që krijoheshin artificialisht. Drejtimi i UT nuk ka zbatuar detyrat, pasi janë marrë njerëz në punë në kundërshtim me ligjin, janë penguar funksione të rëndësishme të strukturave përbërëse të UT, janë kryer veprime të hapura në kundërshtim me ligjin. Është një sfidë e re për këtë Universitet që do ta përballojmë me dinjitet”, u shpreh Hoxha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë