Futboll

Sfidë Itali-Gjermani për stolin e Barcelonës, listës i shtohet dhe Simone Inzagi

Gazeta Si – Nëse edhe një flamur që përfaqëson në mënyrë perfekte futbollin ‘made in Barça’ ka vendosur të largohet, do të thotë se është e pamundur të bësh një program afatgjatë për çdo stol në botë. Barcelona është në kërkim të pasuesit të Ksavi Hernandez, që do të largohet në fund të sezonit, dhe listës së kandidatëve i është shtuar edhe emri i Simone Inzagit.

Simone Inzagi, trajneri i Interit. Gazeta Si, 28 shkurt 2024

Ka një interes të katalanasve për një nga trajnerët më të mirë të momentit, që po udhëheq Interin bindshëm drejt titullit. Inzagi nuk është një trajner teorik i lojës së pozicionit, siç kërkohet në ato anë, por ka qenë në gjendje të krijojë një hibrid të jashtëzakonshëm, që luan futboll vertikal dhe fluid, pavarësisht interpretuesve.

Ka fituar dy Kupa Italie dhe po kaq Superkupa, ka një finale Championsi dhe pothuajse ka fituar titullin e yllit të dytë. Italiani është edhe në planet e Mançester Junajtid, Liverpulit dhe Çelsit, por vështirë që ai të lërë Interin në këtë moment.

Stoli i Barcelonës në fakt duket një sfidë mes trajnerëve italianë dhe atyre gjermanë. Në listë është edhe emri i Roberto De Zerbit, që drejton Brajtonin në Premeir Ligë.

Kandidatët gjermanë për të marrë drejtimin e Barcelonës, sipas shtypit spanjoll, janë Hansi Flik, aktualish pa punë, Julian Nagelsman, trajneri i kombëtares gjermane, dhe Tomas Tuhel, që do të lërë Bajernin në fund të sezonit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë